Secondary Adv

Zhvlerësimi i valutave ul me 128 miliardë lekë vlerën e depozitave në tre vjet

Zhvlerësimi i euros dhe valutave të tjera kryesore ndaj lekut ka ulur ndjeshëm vlerën e depozitave bankare të shprehura në monedhën vendase.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm gjatë tre viteve të fundit, nga qershori 2023 në qershor 2026, efekti negativ i kursit të këmbimit arriti në 128 miliardë lekë, ose rreth 1.4 miliardë euro me kursin aktual.

Në 12 muajt mes qershorit 2025 dhe qershorit 2026, efekti i kursit të këmbimit e uli me 37 miliardë lekë vlerën e depozitave në valutë të shprehur në lekë. Që nga fillimi i vitit 2026, efekti ishte gjithashtu negativ, në masën 25 miliardë lekë.

Pavarësisht ndikimit të kursit, depozitat e sektorit bankar arritën në 1.91 trilionë lekë në mesin e këtij viti. Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, ato u rritën me rreth 75 miliardë lekë ose 4.1 për qind, ndërsa në terma vjetorë zgjerimi ishte 180 miliardë lekë ose 10.4 për qind.

E korrigjuar për efektin e kursit të këmbimit, rritja gjashtëmujore e depozitave do të ishte rreth 5.4 për qind, ndërsa rritja vjetore do të arrinte në 12.5 për qind.


Depozitat në lekë japin kontributin kryesor në rritje

Sipas Bankës së Shqipërisë, kontributin më të madh në rritjen nominale të depozitave e dhanë llogaritë rrjedhëse, depozitat e individëve dhe ato në lekë. Depozitat me afat, kursimet e bizneseve dhe depozitat e sektorit publik u rritën gjithashtu, por me ritme më të moderuara. Rreth gjysma e rritjes vjetore u përqendrua në gusht 2025, dhjetor 2025 dhe janar 2026, duke sugjeruar ndikimin e faktorëve sezonalë.

Llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me afat përbënin përkatësisht 45 për qind dhe 43 për qind të stokut total, ndërsa depozitat e individëve zinin rreth 78 për qind dhe ato në valutë rreth 50 për qind të totalit.

Depozitat në lekë u rritën me 6 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë dhe me rreth 13 për qind në terma vjetorë. Për depozitat në valutë, rritja ishte përkatësisht 2.2 për qind dhe 7.9 për qind. Në vlerë absolute, gjatë gjashtëmujorit depozitat në lekë u shtuan me rreth 54 miliardë lekë dhe ato në valutë me rreth 21 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, rritja ishte përkatësisht 110 miliardë dhe 70 miliardë lekë.

Depozitat me afat u zgjeruan me rreth 6.5 për qind në terma vjetorë, ndërsa llogaritë rrjedhëse u rritën me 5.3 për qind gjatë gjysmës së parë të vitit dhe me 14.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Depozitat pa afat mbetën pothuajse të pandryshuara gjatë gjashtëmujorit, por ishin rreth 3 për qind më të larta në terma vjetorë.


Depozitat në euro rriten me 13.5 për qind

Në fund të periudhës, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me afat të individëve në lekë arritën përkatësisht në 300 dhe 380 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 17.3 për qind dhe 6.8 për qind. Pothuajse i gjithë stoku prej 410 miliardë lekësh i depozitave me afat në lekë përfaqësohej nga kursimet e individëve.

Depozitat në euro u rritën me 13.5 për qind në terma vjetorë. Depozitat në euro të individëve u zgjeruan me 22 për qind, ndërsa ato të bizneseve me 12 për qind. Për depozitat me afat në euro të individëve, rritja ishte 11 për qind.

Gjatë periudhës, individët shtuan depozitat në euro me rreth 340 milionë euro dhe bizneset me 125 milionë euro. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, shtesat kishin qenë përkatësisht 530 milionë dhe 36 milionë euro, duke treguar një ngadalësim të ritmit të individëve dhe një përshpejtim të depozitave të bizneseve.


Interesat e depozitave mbeten të qëndrueshme

Normat e interesit për depozitat nuk shënuan ndryshime të rëndësishme gjatë periudhës. Në mesin e vitit, norma mesatare e ponderuar për depozitat e reja me afat në lekë ishte 2.2 për qind për bizneset dhe 1.6 për qind për individët. Për depozitat e reja me afat në euro, norma ishte rreth 1.5 për qind për të dy segmentet.

Për stokun e depozitave me afat të individëve në lekë, normat për maturitetet nën dhe mbi dy vjet ishin përkatësisht 1.6 për qind dhe 3.2 për qind, ndërsa për depozitat në euro ishin 1.2 për qind dhe 2.2 për qind.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat