OECD: Shqipëria ka dendësinë më të ulët të rrjetit rrugor dhe hekurudhor në Ballkanin Perëndimor
Shqipëria ka dendësinë më të ulët të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore mes gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Raportit të Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2026 të OECD-së, vendi është gjithashtu i vetmi në rajon ku dendësia e rrjetit rrugor ka rënë gjatë dekadës së fundit, ndërsa rrjeti hekurudhor është tkurrur me mbi 28 për qind krahasuar me periudhën 2014-2016.
Në infrastrukturën rrugore, Shqipëria regjistron vetëm 13 kilometra rrugë për 100 km² territor, niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor. Në skajin tjetër renditet Mali i Zi, me 74 kilometra rrugë për 100 km². OECD vëren se dendësia e rrjetit rrugor ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme në pjesën tjetër të rajonit, ndërsa Shqipëria është e vetmja ekonomi ku treguesi ka shënuar rënie gjatë periudhës së analizuar.
Rrjeti hekurudhor është tkurrur me mbi 28 për qind
Hendeku është i dukshëm edhe në infrastrukturën hekurudhore. Shqipëria ka vetëm 0.9 kilometra linjë hekurudhore për 100 km² territor, sërish niveli më i ulët në rajon. Për krahasim, Serbia, që ka dendësinë më të lartë në Ballkanin Perëndimor, arrin në 4 kilometra për 100 km².
Sipas OECD-së, dendësia e rrjetit hekurudhor shqiptar është zvogëluar me mbi 28 për qind krahasuar me periudhën 2014-2016, duke shënuar rënien më të fortë mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Dobësia e sektorit hekurudhor nuk lidhet vetëm me gjatësinë e rrjetit. OECD e rendit Shqipërinë, së bashku me Kosovën, ndër ekonomitë ku transporti hekurudhor i mallrave mbetet margjinal, me volume të papërfillshme. Për pasojë, pjesa më e madhe e transportit të mallrave mbetet e varur nga rrjeti rrugor, ndërsa përdorimi i hekurudhës si alternativë për tregtinë dhe logjistikën është i kufizuar.
Shqipëria e fundit në klasterin e Infrastrukturës dhe Ndërlidhjes
Treguesit e rrjetit rrugor dhe hekurudhor ndikojnë edhe në pozicionimin e Shqipërisë në klasterin “Infrastruktura dhe Ndërlidhja”, ku vendi renditet i fundit mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
OECD thekson se, pavarësisht progresit të rajonit në disa elemente të infrastrukturës, hendeku me vendet fqinje të Bashkimit Europian mbetet i konsiderueshëm, ndërsa Shqipëria regjistron rezultatin më të ulët mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor.