Secondary Adv

Raporti i DASH: Investimet në rritje, por korrupsioni dhe informaliteti mbeten shqetësim

Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026, evidenton rritjen e investimeve të huaja.

Por, raporti rendit korrupsionin, informalitetin, problemet me pronësinë, pastrimin e parave dhe konkurrencën e kufizuar mes shqetësimeve të raportuara për klimën e biznesit.


Raporti prej 40 faqesh vë në dukje se, pavarësisht rritjes së investimeve të huaja, investitorët vijojnë të përballen me mungesë transparence, informalitet, vështirësi në zbatimin e kontratave dhe konkurrencë të kufizuar. Sipas dokumentit, korrupsioni në administratë, sistemin e drejtësisë, prokurimet publike dhe media renditet ndër shqetësimet kryesore të investitorëve.


Raporti përmend gjithashtu ndikimin që të ardhurat nga aktivitetet kriminale mund të kenë në ekonomi, duke theksuar se paratë nga trafiku i drogës dhe evazioni fiskal mund të deformojnë konkurrencën. Një tjetër shqetësim i raportuar nga investitorët është rreziku i zhvatjes apo shantazhit nga administrata, media dhe grupet kriminale. Dokumenti nuk identifikon raste apo persona konkretë.


Investimet strategjike, PPP-të dhe pronat

Raporti ngre pikëpyetje edhe për zbatimin e ligjit për investimet strategjike. Sipas dokumentit, shumica e projekteve të miratuara janë përqendruar në turizëm dhe janë financuar nga kompani vendase, ndërsa investitorët e huaj kanë raportuar vonesa në përgjigjet e institucioneve. Për partneritetet publike-private, DASH evidenton konkurrencë të kufizuar, analiza të dobëta dhe mungesë ekspertize teknike në disa projekte.


Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet regjistrimit të pronave. Duke iu referuar të dhënave të Bashkimit Europian, dokumenti thekson se 80 për qind e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë verifikim, ndërsa vetëm 43 për qind e titujve të pronësisë dhe 10 për qind e hartave kadastrale janë digjitalizuar. Problemet me pronësinë dhe regjistrimin e pasurive vlerësohen si veçanërisht të rëndësishme për investimet në zonat bregdetare dhe malore.


76 ndërmarrje në pronësi të shtetit

Duke iu referuar të dhënave të OECD-së, raporti thekson se Shqipëria ka 76 kompani plotësisht ose në shumicë në pronësi të shtetit. Megjithatë, sipas dokumentit, nuk publikohet një listë e plotë e këtyre kompanive, çka e vështirëson vlerësimin e aseteve, të ardhurave dhe numrit të punonjësve.


Raporti vëren gjithashtu se pavarësia e bordeve të ndërmarrjeve shtetërore mbetet e kufizuar dhe se emërimet në drejtim mund të ndikohen nga vendimmarrja politike.


Pastrimi i parave dhe reforma në drejtësi

Departamenti Amerikan i Shtetit vëren se Shqipëria u hoq nga lista gri e FATF-së në vitin 2023, por vijon të konsiderohet një juridiksion madhor për pastrimin e parave në raportet amerikane.


Në të njëjtën kohë, raporti evidenton përparimin e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë çështje që lidhen me zyrtarë të lartë.


Investimet e huaja arrijnë në 1.84 miliardë dollarë

Pavarësisht problematikave të evidentuara, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë vijuar rritjen. Sipas raportit, ato arritën në 1.84 miliardë dollarë në vitin 2025, nga 1.72 miliardë dollarë në vitin 2024.


Pasuritë e paluajtshme përfaqësuan 34 për qind të flukseve të investimeve, të ndjekura nga shërbimet financiare me 18 për qind, industritë nxjerrëse me 10 për qind dhe tregtia me 10 për qind.


Raporti evidenton gjithashtu informalitetin e lartë, mungesën e fuqisë punëtore dhe emigrimin si sfida të rëndësishme për bizneset. Në tërësi, dokumenti paraqet një klimë investimesh ku flukset e kapitalit të huaj janë rritur, ndërsa korrupsioni, problemet me pronat, informaliteti, konkurrenca dhe transparenca vijojnë të renditen ndër shqetësimet kryesore të investitorëve.


Burimi: Euronews


Më të lexuarat