Kredia për shtëpi, Banka e Shqipërisë rrit sërish kërkesat për kapital ndaj bankave
Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të tretë shtesën kundërciklike të kapitalit për bankat tregtare, në kushtet e rritjes së shpejtë të kreditimit dhe veçanërisht të financimit për blerjen e banesave.

Guvernatori Gent Sejko ka vendosur që norma të rritet nga 0.5 për qind në 0.75 për qind, me efekt nga 30 shtatori 2027.
Shtesa kundërciklike e kapitalit është një instrument makroprudencial që synon të krijojë rezerva shtesë kapitali dhe të frenojë rreziqet që mund të krijohen nga një zgjerim shumë i shpejtë i kreditimit. Vendimmarrja mbështetet ndër të tjera në ecurinë e hendekut të raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, tregues që mat devijimin e këtij raporti nga prirja e tij afatgjatë.
Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë 2026 hendeku kredi/PBB mbeti negativ, por vijoi të ngushtohej me ritëm të përshpejtuar, duke regjistruar devijimin më të ulët në terma absolutë nga prirja afatgjatë që prej tremujorit të katërt 2009. Hendeku u ngushtua me rreth 2.6 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë dhe me 0.96 pikë përqindjeje ndaj tremujorit paraardhës.
Kjo ecuri reflekton rritjen vjetore të kredisë me 11.7 për qind, ndjeshëm mbi normën e vjetorizuar të rritjes së PBB-së prej 4.6 për qind, duke afruar më tej raportin kredi/PBB me prirjen e tij afatgjatë.
Kredia për individët dhe banesat në fokus
Në segmentin e individëve, hendeku është pozitiv dhe është zgjeruar për të katërtin tremujor radhazi, duke arritur në 1.31 pikë përqindjeje. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo kërkon monitorim të vazhdueshëm të dinamikës së huamarrjes dhe të ngarkesës me borxh të familjeve.
Për bizneset, hendeku mbetet negativ në -2.3 pikë përqindjeje, por është ngushtuar me rreth 1.4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë nënvizon nevojën për të vlerësuar nëse rritja e huamarrjes së bizneseve po shoqërohet me zgjerim të aktivitetit, kapaciteteve prodhuese dhe përmirësim të performancës financiare.
Kontributin kryesor në zgjerimin e kreditimit vijon ta japë financimi i pasurive të paluajtshme dhe, në veçanti, kredia për blerjen e banesave. Financimi për pasuritë e paluajtshme rezidenciale ka regjistruar ritme rritjeje sistematikisht më të larta si ndaj zgjerimit të portofolit të përgjithshëm të kredisë, ashtu edhe ndaj rritjes nominale vjetore të PBB-së.
Për pasojë, pesha e kredisë për banim të individëve ndaj PBB-së ka ndjekur një prirje të vazhdueshme rritëse që prej tremujorit të katërt të vitit 2019.
Treguesi i paralajmërimit kalon kufirin maksimal
Treguesi plotësues i paralajmërimit të hershëm e ka sinjalizuar prej disa tremujorësh rritjen e shpejtë të kredisë. Indeksi aktualisht është në nivelin 0.71, mbi kufirin maksimal prej 0.5 të përcaktuar në metodologjinë për shtesën kundërciklike të kapitalit. Për nivele të tilla, metodologjia parashikon një shtesë pozitive më të lartë kundërciklike, prej të paktën 1 për qind.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e shpejtë e kredisë mund të shoqërohet me akumulim gradual të dobësive, të lidhura me lehtësimin e standardeve të kreditimit, përqendrimin e ekspozimeve në sektorë ose tregje të caktuara dhe rritjen e ngarkesës me borxh të sektorit privat. Në rast të goditjeve të pafavorshme, këto dobësi mund të rrisin ndjeshmërinë e ekonomisë dhe të sektorit financiar.
Për këtë arsye, Banka Qendrore argumenton se rritja e shtesës nga 0.5 për qind në 0.75 për qind do t'u mundësojë bankave të krijojnë rezerva shtesë kapitali në një periudhë kur sektori paraqitet financiarisht i qëndrueshëm. Këto rezerva mund të çlirohen më vonë në rast të ngadalësimit të ciklit financiar.
Rritja e tretë e shtesës kundërciklike
Banka e Shqipërisë e aplikoi për herë të parë shtesën kundërciklike të kapitalit në qershor 2024, në nivelin 0.25 për qind, ndërsa në dhjetor të të njëjtit vit e rriti me 0.25 pikë përqindjeje. Këto kërkesa hynë në fuqi për t'u përmbushur përkatësisht në qershor dhe dhjetor 2025.
Paralelisht, për të ruajtur cilësinë e ekspozimeve të bankave ndaj tregut të pasurive të paluajtshme, prej korrikut 2025 Banka e Shqipërisë ka vendosur kufij të sipërm për dy tregues të kreditimit: raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave të kredimarrësit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)