ACI Europe: Tirana kryeson aeroportet e mëdha evropiane, 20.7 për qind rritje në gusht
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës regjistroi në gusht 2026 rritjen më të lartë të trafikut të pasagjerëve në Europë në kategorinë e aeroporteve që përpunojnë nga 10 deri në 25 milionë pasagjerë në vit.
Sipas të dhënave të ACI EUROPE, trafiku në TIA u rrit me 20.7 për qind krahasuar me gushtin 2025, kundrejt një rritjeje mesatare prej vetëm 4.8 për qind për aeroportet e kësaj kategorie.
Pas Tiranës, rritjet më të larta në këtë kategori u regjistruan nga Tel Avivi me 19.5 për qind, Tashkenti me 16.6 për qind, Ankaraja me 13.3 për qind dhe Venecia me 12.7 për qind.
Ritmi i Tiranës ishte ndjeshëm më i lartë edhe krahasuar me tregun europian në tërësi. Sipas ACI EUROPE, trafiku i pasagjerëve në aeroportet europiane u rrit me 3.1 për qind në gusht, pas rritjes prej 3.9 për qind në korrik. Në aeroportet e vendeve jashtë tregut EU+, ku përfshihet edhe Shqipëria, rritja ishte 6 për qind. Kështu, ritmi i rritjes së TIA-s ishte pothuajse shtatë herë më i lartë se mesatarja europiane.
Mbi 1.7 milionë pasagjerë vetëm në gusht
Shqipëria rezulton gjithashtu ndër tregjet kombëtare me rritjen më të shpejtë të trafikut ajror. Mes vendeve jashtë EU+, Maqedonia e Veriut regjistroi rritje prej 34.8 për qind, Mali i Zi 28.6 për qind, Shqipëria 20.7 për qind, Izraeli 19.5 për qind, Armenia 14.2 për qind, Moldavia 12.6 për qind dhe Uzbekistani 10.5 për qind.
Vetëm gjatë gushtit 2026, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përpunoi 1,705,825 pasagjerë, nga 1,413,064 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ose rreth 292,800 udhëtarë më shumë. Në tetë muajt e parë të vitit, numri i pasagjerëve që kaluan përmes aeroportit tejkaloi 9.37 milionë.
Rritja e trafikut të pasagjerëve u shoqërua edhe me shtimin e fluturimeve. Në gusht u regjistruan 9,692 lëvizje avionësh, nga 8,106 në gusht 2025, ose 1,586 më shumë. Në terma vjetorë, numri i lëvizjeve të avionëve u rrit me rreth 19.6 për qind.
Mbi 100 milionë euro investime në aeroport
Ecuria e vitit 2026 vijon zgjerimin e shpejtë të regjistruar gjatë viteve të fundit. Në vitin 2025, TIA arriti në rreth 11.6 milionë pasagjerë, ose 249 për qind më shumë krahasuar me vitin 2019.
Rritja e trafikut është shoqëruar me investime në zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës. Sipas TIA-s, që prej marrjes së menaxhimit nga Kastrati Group në dhjetor 2019 janë investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë dhe operacione, përfshirë zgjerimin e terminalit, shtimin e kapaciteteve operacionale, sistemet e check-in-it dhe sigurisë, e-gates dhe teknologji të tjera aeroportuale.
Sipërfaqja e terminalit është trefishuar gjatë fazave të para të investimeve, ndërsa projekti i zgjerimit parashikon që ajo të arrijë rreth 100 mijë metra katrorë. Investimet kanë përfshirë edhe 15 mijë metra katrorë shtesë në zonën e mbërritjeve dhe gjashtë pozicione të reja parkimi për avionët, duke e çuar kapacitetin në 29 pozicione.
Në maj 2026, TIA njoftoi gjithashtu përzgjedhjen e një sistemi të ri të integruar të menaxhimit aeroportual, të projektuar për automatizimin dhe koordinimin e proceseve kryesore në kushtet e rritjes së vazhdueshme të trafikut.
ACI EUROPE evidenton se zgjerimi i trafikut në Tiranë po ndodh në një periudhë kur tregu europian i aviacionit përballet me tensione gjeopolitike, rritje të çmimeve të karburantit, tarifa më të larta të fluturimeve dhe presione nga kostoja e jetesës. Ndërsa aeroportet e mëdha europiane regjistruan mesatarisht rritje prej 4.8 për qind në gusht, Tirana u zgjerua me 20.7 për qind, më shumë se katërfishi i ritmit të kësaj kategorie.