Secondary Adv

Rama për Tirana Fountain Tower: Konkurs ndërkombëtar për rikonceptimin e Tajvanit

Godina e njohur si “Tajvani” në Parkun Rinia pritet të transformohet në kuadër të projektit “Tirana Fountain Tower”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se për rikonceptimin dhe rizhvillimin e saj po zhvillohet një konkurs ndërkombëtar, duke argumentuar se ndërhyrja në këtë pronë private do të ketë ndikim edhe në hapësirën përreth dhe në qendrën e Tiranës.


Rama solli në vëmendje historikun e godinës, duke u shprehur se struktura e parë në Parkun Rinia mori emrin “Tajvani” për shkak të formës së saj, e cila qytetarëve u kujtonte arkitekturën kineze. Më pas, godina kaloi nëpër procese privatizimi dhe u transformua, duke marrë një volum tjetër dhe duke ofruar më shumë shërbime.


Sipas kryeministrit, objekti aktual nuk u përgjigjet më nevojave dhe ambicieve të Tiranës së sotme. Ai bëri një krahasim me fazat e mëparshme të zhvillimit të zonës, nga krijimi i Parkut Rinia në vitet '50, ndërtimi i “Tajvanit” në fund të viteve '70 dhe fillim të viteve '80, deri te transformimi i tij në vitet e para 2000.


Projekti në pronë private, ndikim edhe në Parkun Rinia

Rama theksoi se projekti është një investim i sipërmarrjes private në një pronë private. Megjithatë, për shkak të pozicionit të godinës në zemër të Parkut Rinia, zhvillimi i saj pritet të ketë ndikim të rëndësishëm edhe në hapësirën përreth.


“Po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar duke i besuar në radhë të parë një mundësie zgjedhjeje të gjerë vendimin për cila do të jetë mënyra se si do të rikonceptohet dhe rizhvillohet Tajvani”, deklaroi Rama.


Sipas tij, përfshirja e arkitektëve ndërkombëtarë synon të mundësojë zgjedhjen e një koncepti që t'i shërbejë si zhvillimit të pronës, ashtu edhe kryeqytetit.


“Vazhdoj të besoj dhe të besoj gjithmonë e më shumë se rruga që kemi zgjedhur për të ftuar në Shqipëri dhe për të përfshirë në këtë fazë historike ëndrrash edhe ambiciesh të mëdha një numër të konsiderueshëm arkitektësh ndërkombëtarë, jo vetëm që është rruga e vetme për të sotmen, por është rruga më e mirë për të nesërmen”, u shpreh kryeministri.


Rama flet edhe për kritikat ndaj arkitekturës

Rama iu referua edhe kritikave që, sipas tij, kjo qasje ndaj zhvillimit urban ka marrë nga një pjesë e opinionit publik dhe e medias ndërkombëtare. Ai paralajmëroi se do të ndante disa komunikime të zhvilluara gjatë ditëve të fundit me një gazetar që e përshkroi si kritik të njohur të arkitekturës, lidhur me pyetjet e ngritura për projektet në Shqipëri.


Konkursi ndërkombëtar për “Tirana Fountain Tower” synon të përcaktojë konceptin e ri arkitektonik për godinën e “Tajvanit” dhe zhvillimin e saj, duke marrë në konsideratë edhe ndikimin e projektit në Parkun Rinia dhe në qendrën e kryeqytetit.



Burimi: Ora News


Më të lexuarat