Secondary Adv

Ish-Fusha e Aviacionit, gjashtë aplikime në garë për Korpusin e Institucioneve të Pavarura

Gjashtë bashkime kompanish janë kualifikuar për fazën e dytë të garës së Korporatës së Investimeve Shqiptare për projektet “Korpusi i Institucioneve të Pavarura” dhe “Qendra për Zhvillimin Multifunksional, Tiranë”.

Projekti përfshin zonën e ish-Fushës së Aviacionit dhe parashikon një zhvillim multifunksional që mund të arrijë në rreth 50 mijë metra katrorë.


Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) publikoi rezultatet e fazës së parë të procedurës konkurruese, ku u vlerësuan dokumentacioni i kandidatëve dhe projekt-idetë paraprake arkitekturore. Sipas njoftimit, të gjashtë aplikantët që morën pjesë janë kualifikuar për fazën pasuese.


Në garë vijojnë AGIKONS, me nënkontraktorë të specializuar ZHA Architects Limited dhe AEI Progetti; bashkimi ALBA BETON dhe GRUPPO KONI, me Luca Dini dhe X-Plan Studio; BAMI HOLDING, me Sou Fujimoto Atelier Paris, tharm architects, Arup, Aspect Studio, Ardian Pepa, Atelier 10 dhe RLB Rider Levett Bucknall UK Limited; bashkimi EACOM DOOEL dhe MANGERA YVARS ARCHITECTS; FARE BAU ALBANIA, me CHYBIK+KRISTOF dhe partnerë të tjerë të specializuar; si dhe MATRIX KONSTRUKTION Albania, me Studio B&L.


Tre prej kandidatëve janë kualifikuar me kusht. MATRIX KONSTRUKTION duhet të plotësojë informacionin për eksperiencën e ngjashme dhe dokumentacionin financiar. Bashkimi ALBA BETON-GRUPPO KONI duhet të paraqesë dokumentin që provon depozitimin e pasqyrave financiare të GRUPPO KONI për vitin 2025, ndërsa FARE BAU ALBANIA duhet të dorëzojë raportet e certifikimit ose auditimit për pasqyrat financiare të viteve 2023 dhe 2025.


Pas përfundimit të afatit të ankimimit, KISH do t'u dërgojë kandidatëve të kualifikuar Ftesën për Propozim, duke hapur fazën e dytë të konkurrimit, ku pritet dorëzimi i projekteve të plota arkitekturore dhe ofertave financiare.


Zhvillim multifunksional te ish-Fusha e Aviacionit

Kontrata lidhet me projektimin dhe zhvillimin përmes sipërmarrjes të një objekti multifunksional në Njësinë Administrative nr. 7, në zonën urbane të ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë.


Projekti parashikon ndërtimin e Korpusit të Institucioneve të Pavarura, ku është planifikuar të akomodohen, ndër të tjera, INSTAT, Avokati i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni i Prokurimit Publik, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.


Pjesë e projektit është edhe Qendra për Zhvillimin Multifunksional në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, ku parashikohen një klinikë shëndetësore, një palestër, si dhe hapësira me funksione komerciale dhe rezidenciale.


Sipas dokumentacionit të procedurës, zhvillimi multifunksional mund të arrijë në rreth 50 mijë metra katrorë, ndërsa oferta duhet të parashikojë që të paktën 35 për qind e sipërfaqes së zhvillimit t'i kalojë Korporatës së Investimeve Shqiptare.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat