Secondary Adv

Reforma territoriale, 15 bashki pritet të shkrihen dhe gjashtë zona marrin statusin e qytetit

Shqipëria mund të kalojë nga 61 në 46 bashki nëse reforma e re administrativo-territoriale siguron 84 votat e nevojshme në Kuvend.

Drafti i miratuar në Komisionin e Ligjeve parashikon shkrirjen e 15 bashkive aktuale, ndërsa gjashtë zona të tjera pritet të marrin statusin e qytetit.


Sipas projektligjit, harta e re administrative do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative, ndërsa qarqet do të mbeten të pandryshuara. Bashkia vijon të jetë njësia kryesore e vetëqeverisjes vendore.


15 bashkitë që humbasin statusin

Drafti parashikon që Fushë-Arrëzi të bashkohet me Bashkinë Pukë, Klosi me Matin, Rrogozhina me Kavajën, Dimali dhe Poliçani me Beratin, Patosi me Fierin, Divjaka me Lushnjën dhe Selenica me Vlorën.


Gjithashtu, Maliqi parashikohet të bashkohet me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, Cërriku dhe Belshi me Elbasanin, ndërsa Përrenjasi me Librazhdin.


Gjashtë zona marrin statusin e qytetit

Gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve janë shtuar gjashtë zona që, sipas draftit, do të marrin statusin e qytetit. Bëhet fjalë për Kastratin në Bashkinë Malësi e Madhe, Bushatin në Bashkinë Vau i Dejës, Ulzën në Bashkinë Mat, Krastën në Bashkinë Bulqizë, Milotin në Bashkinë Kurbin dhe Golemin në Bashkinë Kavajë.


Me ndryshimet e propozuara, Bashkia Kurbin do të përfshijë qytetet Laç, Mamurras dhe Milot. Ndërkohë, Bashkia Kavajë, pas bashkimit me Rrogozhinën dhe dhënies së statusit të qytetit për Golemin, do të përfshijë qytetet Kavajë, Rrogozhinë dhe Golem.


Projektligji është miratuar në Komisionin e Ligjeve dhe pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 8 tetorit. Për miratimin e reformës administrativo-territoriale nevojiten 84 vota.



Burimi: Euronews


Më të lexuarat