Secondary Adv

Pagesat e menjëhershme, transfertat deri në 500 mijë lekë do të kryhen brenda 10 sekondave

Banka e Shqipërisë ka përgatitur projekt-rregulloren për funksionimin e sistemit të pagesave të menjëhershme, që do të mundësojë transferta pothuajse në kohë reale, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.

Për transfertat deri në 500 mijë lekë ose 5 mijë euro, koha maksimale e finalizimit do të jetë 10 sekonda.


Sipas projekt-rregullores, bankat dhe institucionet financiare të pagesave nuk do të mund të aplikojnë për klientët tarifa të ndryshme nga ato që zbatohen për transfertat në sistemet ekzistuese AECH dhe AIP Euro. Kjo nënkupton se transfertat në lekë nëpërmjet sistemit të pagesave të menjëhershme do të jenë pa komision deri në vlerën 40 mijë lekë.


Për urdhërpagesat në nisje nëpërmjet AECH, me vlerë nga 40 mijë deri në 1 milion lekë, komisioni i aplikuar nga institucionet financiare për klientët nuk duhet të jetë më i lartë se 100 lekë. Për transfertat e kryera nëpërmjet internet banking, komisioni maksimal për shumat deri në 1 milion lekë nuk mund të jetë më i lartë se 50 lekë.


Komision simbolik për institucionet financiare

Për të nxitur tarifa sa më të ulëta, Banka e Shqipërisë do të aplikojë komisione simbolike ndaj bankave dhe institucioneve financiare. Për transaksionet deri në 40 mijë lekë nuk do të paguhet komision ndaj Bankës së Shqipërisë, ndërsa për pagesat mbi këtë shumë, si në lekë ashtu edhe në euro, komisioni do të jetë 1 lek për çdo transaksion.


Ndryshimi kryesor lidhet me shpejtësinë e transfertave. Ndërsa aktualisht një transfertë nga një institucion financiar drejt një tjetri brenda vendit mund të kërkojë disa orë pune për t'u finalizuar dhe transfertat e nisura pas orës 13:45 përfundojnë në ditën pasardhëse të punës, sistemi i ri parashikon finalizimin e pagesave të menjëhershme brenda maksimumi 10 sekondash.


Sistemi do të operojë në mënyrë të pandërprerë, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Megjithatë, transferimet e fondeve për shtimin ose pakësimin e likuiditetit në llogaritë e pagesave të menjëhershme të pjesëmarrësve direktë do të mund të realizohen vetëm gjatë ditëve dhe orareve të operimit të sistemeve AIPS dhe AIPS EURO.


Akses direkt edhe për institucionet jobanka

Me ndryshimet e përgatitura në rregulloret e sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar që, përveç vetë bankës qendrore dhe bankave tregtare, pjesëmarrës direktë të mund të jenë edhe operatorët jobanka të shërbimeve të pagesave, ku përfshihen institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike.


Këto institucione do të kenë akses direkt në sistemet kombëtare të pagesave dhe do të mund t'u ofrojnë klientëve shërbime me të njëjtat mundësi si bankat tregtare. Pjesëmarrja direkte ka qenë një kërkesë e hershme e institucioneve financiare të pagesave, veçanërisht pas miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, që transpozoi Direktivën Europiane të Pagesave PSD 2.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat