Albpetrol nxjerr në ankand 101.4 mijë ton naftë bruto
Albpetrol ka nxjerrë në ankand 101,400 ton naftë bruto, në një prej shitjeve të mëdha të planifikuara nga kompania shtetërore.
Kontrata parashikon që sasia të tërhiqet gradualisht gjatë 12 muajve, ndërsa çmimi i shitjes do të përcaktohet në varësi të kuotimit ndërkombëtar të naftës Brent.
Ky është ankandi i parë i këtij viti, pas procedurës së fundit të zhvilluar në shtator 2025. Sasia prej 101,400 tonësh nuk do të tërhiqet menjëherë nga blerësi, por do të lëvrohet me nga 8,450 ton naftë bruto çdo muaj për një periudhë njëvjeçare. Nafta ndodhet në gjashtë pika të Albpetrol: Zharrëz, Usojë, Visokë, Gorisht, Kuçovë dhe Amonicë.
Çmimi lidhet me kuotimin e Brent
Çmimi i shitjes nuk është përcaktuar në një vlerë fikse, por do të ndryshojë në varësi të çmimit ndërkombëtar të naftës Brent. Për shitjen në kushtet FOB, Albpetrol ka vendosur si çmim minimal 77.51 për qind të çmimit Brent, plus koeficientin “K” që do të ofrohet nga pjesëmarrësit në ankand.
Në rastet kur nafta merret direkt në pikat e lëvrimit të Albpetrol, nga kjo vlerë do të zbriten 4.448 dollarë për fuçi. Sipas dokumenteve, kjo shumë përfaqëson kostot mesatare të transportit, magazinimit, stokimit, analizimit të produktit dhe sigurimit.
Koeficienti prej 77.51 për qind përdoret nga Albpetrol për të reflektuar karakteristikat e naftës bruto që tregtohet, përfshirë densitetin dhe përmbajtjen e squfurit. Si referencë do të përdoret çmimi Brent i publikuar nga Platts dhe i pasqyruar në Buletinin e Prokurimit Publik.
Fituesin e përcakton koeficienti “K”
Elementi kryesor që do të përcaktojë fituesin e ankandit është koeficienti “K”, që përfaqëson një shtesë mbi çmimin minimal të llogaritur sipas formulës së Albpetrol. Kompanitë pjesëmarrëse do të konkurrojnë duke ofruar një shtesë më të lartë në dollarë për fuçi mbi çmimin bazë.
Sipas dokumentacionit, fitues do të shpallet ofertuesi që paraqet vlerën më të lartë të koeficientit “K”. Oferta fillestare më e lartë do të shërbejë si pikënisje për ankandin dhe procedura do të vijojë mbi këtë nivel deri në përcaktimin e ofertës më të lartë.
Pagesat nga blerësi fitues do të kryhen sipas grafikut të lëvrimit dhe përpara tërheqjes së çdo sasie mujore, nëpërmjet transfertës bankare.