Secondary Adv

Familjet shqiptare shpenzojnë 95 mijë lekë në muaj, rreth 40 për qind e buxhetit shkon për ushqime

Familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 95,227 lekë në muaj për konsum gjatë vitit 2025, me një rritje prej 2.3 për qind krahasuar me një vit më parë.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike vazhdojnë të dominojnë buxhetin, duke marrë 39.8 për qind të shpenzimeve, ndërsa Tirana ka nivelin më të lartë të konsumit në vend.


Sipas të dhënave të INSTAT, shpenzimet totale mujore për konsum të familjeve në Shqipëri arritën në rreth 72.3 miliardë lekë, ose 2.6 për qind më shumë se në vitin 2024. Një familje përbëhej mesatarisht nga 3.1 persona.



Ushqimet dhe pijet joalkoolike përbëjnë zërin kryesor të konsumit, me një shpenzim mesatar prej 37,859 lekësh në muaj, ose 39.8 për qind të buxhetit familjar. Brenda këtij grupi, peshën më të madhe e zënë perimet me 20.2 për qind, të ndjekura nga mishi dhe nënproduktet e tij me 16.6 për qind dhe qumështi, djathi dhe vezët me 15.5 për qind.


Argëtimi dhe kultura me rritjen më të lartë

Ndryshimi më i fortë gjatë vitit 2025 u regjistrua te shpenzimet për argëtim dhe kulturë, të cilat u rritën me 10 për qind krahasuar me vitin 2024. Pas tyre renditen pijet alkoolike dhe duhani, me rritje 5.1 për qind, dhe transporti me 5 për qind.


Argëtimi dhe kultura përbëjnë tashmë 2.8 për qind të buxhetit familjar, nga 2.6 për qind një vit më parë. Transporti zë 7.2 për qind të shpenzimeve, ndërsa pijet alkoolike dhe duhani 4.3 për qind.


Për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë e paguar, familjet shpenzojnë mesatarisht 9,218 lekë në muaj, ose 9.7 për qind të buxhetit. Për restorante dhe hotele shpenzohen mesatarisht 7,153 lekë, ose 7.5 për qind e totalit. Krahasuar me vitin 2024, pesha e shpenzimeve për banesën është rritur nga 9.6 në 9.7 për qind, ndërsa ajo për restorante dhe hotele ka rënë lehtë nga 7.6 në 7.5 për qind.


Tirana kryeson me mbi 110 mijë lekë në muaj

Diferencat mes qarqeve mbeten të ndjeshme. Familjet në qarkun e Tiranës regjistrojnë shpenzimet mesatare mujore më të larta, me 110,904 lekë, dukshëm mbi mesataren kombëtare prej 95,227 lekësh. Pas Tiranës renditen Korça me 93,381 lekë dhe Durrësi me 91,992 lekë në muaj.


Në skajin tjetër renditen Kukësi, me 76,009 lekë, dhe Dibra, me 77,027 lekë në muaj. Diferenca mes shpenzimeve mesatare të familjeve në Tiranë dhe atyre në Kukës arrin në rreth 35 mijë lekë në muaj.


Në strukturën e përgjithshme të konsumit, pesha e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rrit lehtë nga 39.6 për qind në vitin 2024 në 39.8 për qind në 2025. Veshjet dhe këpucët zënë 5 për qind të buxhetit, mobilimi dhe mirëmbajtja e banesës 6.6 për qind, shëndeti 3.4 për qind, komunikimi 3.7 për qind, arsimi 3.3 për qind dhe mallrat e shërbimet e tjera 6.6 për qind.


Të dhënat tregojnë se, pavarësisht zgjerimit të konsumit gjatë vitit 2025, pothuajse katër në çdo 10 lekë të shpenzuar nga familjet shqiptare vijojnë të përdoren për ushqime dhe pije joalkoolike.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat