Secondary Adv

116 mln lekë për rikonstruksionin e rrugës Idriz Dollaku në Ali Dem, parashikohet dhe parkim

Bashkia e Tiranës ka hapur garën për rikonstruksionin e rrugës “Idriz Dollaku”, në zonën e “Ali Demit”, me një fond limit prej 116.2 milionë lekësh.

Projekti përfshin asfaltimin, sistemimin e rrjeteve inxhinierike, trotuaret, ndriçimin, gjelbërimin dhe krijimin e zonave të parkimit.


Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, rruga “Idriz Dollaku” ka një gjatësi prej rreth 780 metrash. Përpara nisjes së punimeve do të kryhet azhurnimi i rrjetit elektrik, kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ujësjellësit, si dhe linjave të telefonisë dhe internetit.


Një nga ndërhyrjet parashikon kalimin nën tokë të linjave të telefonisë dhe internetit, të cilat aktualisht janë ajrore dhe të vendosura në shtyllat elektrike. Sipas projektit, ato do të kalojnë në tuba plastikë nën trotuare, me synim sistemimin e linjave dhe përmirësimin e pamjes së rrugës.


Dy korsi lëvizjeje dhe hapësira parkimi

Projekti parashikon ndërtimin dhe sistemimin e trotuareve, vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale dhe instalimin e ndriçimit rrugor. Sipas dokumentacionit teknik, aktualisht sinjalistika mungon përgjatë të gjithë segmentit.


Rruga do të trajtohet me dy korsi lëvizjeje dhe do të ketë një gjerësi të pjesës kaluese prej 5.5 metrash, ndërsa trotuaret do të variojnë nga 1.5 deri në 3 metra. Në segmente të caktuara do të krijohen edhe zona të posaçme parkimi, pasi aktualisht automjetet parkohen edhe në sheshe dhe hapësira të destinuara për lulishte.


Rikualifikimi përfshin gjithashtu ndërhyrje në hapësirat e gjelbra dhe mobilimin urban, ndërsa përgjatë trotuareve është parashikuar mbjellja e pemëve dekorative.


Ndërhyrja synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të lëvizjes për banorët e zonës, duke përfshirë njëkohësisht sistemimin e rrjeteve nëntokësore, kanalizimeve, ndriçimit, trotuareve, gjelbërimit dhe hapësirave publike.


Burimi: Scan


Më të lexuarat