Hekurudhat do t’u jepen kompanive private, Qeveria nis konsultimet për Tiranë–Durrës–Rinas
Shqipëria po përgatit një model të ri për transportin hekurudhor të udhëtarëve, që parashikon përfshirjen e operatorëve përmes procedurave konkurruese.

Kontrata e parë e Shërbimit Publik do të fokusohet te korridori Tiranë-Aeroporti i Rinasit-Durrës, duke përcaktuar standardet e shërbimit, përgjegjësitë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se procesi është pjesë e një qasjeje më të gjerë për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor. Sipas tij, investimet në infrastrukturë nuk janë qëllimi përfundimtar, pasi synimi është që qytetarëve t'u ofrohet një shërbim hekurudhor modern, i rregullt, i besueshëm dhe i orientuar drejt pasagjerit.
Një nga elementet kryesore të modelit është përfshirja e tregut përmes një procedure konkurruese. Shteti do të përcaktojë nevojën dhe standardet e shërbimit, ndërsa operatorët do të paraqesin zgjidhjet për mënyrën e operimit.
Kontrata përcakton oraret, trenat, mirëmbajtjen dhe kompensimin
Kontrata për korridorin Tiranë-Aeroport-Durrës pritet të përcaktojë volumin e shërbimit dhe tren-kilometrat, oraret, mjetet lëvizëse, modelin e pronësisë ose leasing-ut, financimin dhe mirëmbajtjen. Pjesë e saj do të jenë edhe përdorimi i depos në Shkozet, periudha e mobilizimit, kohëzgjatja e kontratës, kompensimi dhe indeksimi, si dhe mënyra e trajtimit të të ardhurave nga biletat.
Performanca e operatorit do të matet përmes treguesve KPI, ku ndër kriteret do të përfshihen respektimi i orareve, siguria, besueshmëria, mirëmbajtja dhe cilësia e shërbimit. Procedura synon gjithashtu të garantojë konkurrencë dhe transparencë, si dhe të mundësojë përzgjedhjen e zgjidhjeve të përshtatshme nga tregu.
Përfshirja e sektorit privat synon të sjellë ekspertizë dhe përvojë ndërkombëtare në sistemin hekurudhor shqiptar. Konsultimi me tregun përfshin jo vetëm operimin e shërbimit, por edhe zgjidhjet për mjetet lëvizëse, financimin, mirëmbajtjen dhe mobilizimin. Objektiv është gjithashtu transferimi i njohurive dhe zhvillimi i kapaciteteve vendase, përfshirë personelin e Hekurudhës Shqiptare dhe kapacitetet e mirëmbajtjes.
Elektrifikimi i linjës parashikohet të përfundojë në 2027
Kontrata e Shërbimit Publik lidhet me projektin për rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës, ndërtimin e lidhjes së re hekurudhore me Aeroportin e Rinasit, stacionet dhe elektrifikimin. Punimet për rehabilitimin dhe stacionet janë drejt përfundimit, ndërsa elektrifikimi parashikohet të mbyllet brenda vitit 2027.
Investimet hekurudhore shtrihen edhe në pjesë të tjera të vendit. Në veri, linja Vorë-Hani i Hotit, rreth 120 kilometra, po rehabilitohet si pjesë e lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin europian. Projekti bashkëfinancohet nga BERZH, BEI dhe Bashkimi Europian, ndërsa procesi i vlerësimit të ofertave ndodhet në fazën përfundimtare.
Një tjetër projekt është linja Durrës-Rrogozhinë, pjesë e rrjetit kryesor TEN-T në Ballkanin Perëndimor dhe e Korridorit VIII. Rehabilitimi parashikon një infrastrukturë me shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë, stacione të modernizuara dhe sisteme të reja sinjalizimi dhe telekomunikacioni.
Në vijim janë edhe projektet Rrogozhinë-Pogradec dhe rehabilitimi i linjës Rrogozhinë-Fier-Vlorë, së bashku me lidhjen hekurudhore me Aeroportin e Vlorës. Për lidhjen Durrës-Prishtinë po përgatitet projekti teknik në bashkëpunim me Agjencinë Franceze të Zhvillimit.
Strategjia përfshin edhe transportin e mallrave, ku lidhja Sukth-Porto Romano synon të krijojë një akses të drejtpërdrejtë hekurudhor me portin e ri dhe të forcojë ndërmodalitetin mes transportit hekurudhor dhe atij detar. Objektivi është krijimi gradual i një rrjeti që lidh qytetet, aeroportet, portet, zonat turistike dhe korridoret ndërkombëtare.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)