Secondary Adv

Bordi ul çmimin e naftës me 3 lekë për litër

Nafta do të shitet jo më shumë se 210 lekë për litër, ndërsa benzina 190 lekë, sipas vendimit të ri të Bordit.

Bordi i Transparencës ka miratuar uljen me 3 lekë për litër të çmimit të naftës dhe benzinës. Sipas vendimit të marrë më 7 tetor 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i naftës ulet nga 213 lekë në 210 lekë për litër, ndërsa benzina nga 193 lekë në 190 lekë për litër.


Për shitjen me shumicë, çmimi i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 është përcaktuar jo më shumë se 198 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me shumicë me një çmim jo më të lartë se 178 lekë për litër.


Çmimet e reja hyjnë në fuqi më 7 tetor

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe të Gazit e mori vendimin në mbledhjen e dytë, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026, “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”.


Vendimi mbështetet gjithashtu në nenet 21/3 dhe 21/5 të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’”, të ndryshuar.


Çmimet e reja hyjnë në fuqi më 7 tetor 2026, në orën 11:30, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të pasqyrohen ndryshimet e mëtejshme të çmimeve të shitjes.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat