Jeta kushton shumë më shtrenjtë në Tiranë, Kukësi qarku më i lirë
Tirana kryeson për shpenzimet familjare me 110.904 lekë në muaj, ndërsa Kukësi regjistron nivelin më të ulët me 76.009 lekë.
Tirana vijon të jetë qarku ku familjet shqiptare shpenzojnë më shumë për konsumin e përditshëm, ndërsa në skajin tjetër të renditjes qëndron Kukësi. Të dhënat e Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare 2025, të publikuara nga INSTAT, tregojnë se një familje në qarkun e Tiranës shpenzoi mesatarisht 110.904 lekë në muaj, kundrejt 76.009 lekëve në Kukës. Pas Kukësit renditet Dibra, me 77.027 lekë në muaj.
Diferenca mes Tiranës dhe Kukësit arrin në 34.895 lekë në muaj, që do të thotë se një familje në kryeqytet shpenzon rreth 46% më shumë. E llogaritur në një vit, diferenca arrin në afro 419 mijë lekë, duke evidentuar hendekun e konsiderueshëm në nivelin e konsumit dhe shpenzimeve familjare mes qarqeve.
Tirana, i vetmi qark mbi 100 mijë lekë në muaj
Të dhënat e INSTAT-it e vendosin Tiranën dukshëm mbi qarqet e tjera. Pas kryeqytetit, shpenzimet më të larta regjistrohen në Korçë, me 93.381 lekë në muaj, dhe në Durrës, me 91.992 lekë. Fieri regjistron 89.750 lekë, Shkodra 87.900 lekë, Lezha 86.935 lekë, Vlora 86.669 lekë, Gjirokastra 86.528 lekë, Berati 86.249 lekë dhe Elbasani 83.174 lekë. Në fund të renditjes qëndrojnë Dibra dhe Kukësi.
Edhe në raport me mesataren kombëtare, Tirana qëndron ndjeshëm më lart. Në vitin 2025, një familje shqiptare, e përbërë mesatarisht nga 3,1 persona, shpenzoi 95.227 lekë në muaj, ose 2,3% më shumë se një vit më parë. Konsumi i përgjithshëm i familjeve në Shqipëri vlerësohet në rreth 72,3 miliardë lekë në muaj.
Kështu, familjet në Tiranë shpenzojnë rreth 15.700 lekë më shumë në muaj se mesatarja kombëtare, ndërsa ato në Kukës rreth 19.200 lekë më pak. Megjithatë, këto të dhëna matin shpenzimet e familjeve dhe jo drejtpërdrejt nivelin e çmimeve në secilin qark. Për rrjedhojë, ato nuk tregojnë domosdoshmërisht se çdo produkt apo shërbim është më i shtrenjtë në Tiranë, por evidentojnë se buxheti i konsumit të familjeve në kryeqytet është dukshëm më i lartë.
Ushqimet marrin gati 40% të buxhetit familjar
Pjesën më të madhe të buxhetit të familjeve shqiptare vijojnë ta zënë ushqimet. Në vitin 2025, për kategorinë “ushqime dhe pije joalkoolike” një familje shpenzoi mesatarisht 37.859 lekë në muaj, ose 39,8% të buxhetit të përgjithshëm. Banesa, uji, energjia elektrike dhe qiraja e paguar përbënin 9,7% të shpenzimeve, ndërsa restorantet dhe hotelet 7,5%.
Transporti zinte 7,2% të buxhetit familjar, mobilimi dhe mirëmbajtja e banesës 6,6%, veshjet dhe këpucët 5%, ndërsa shëndeti 3,4%. Krahasuar me vitin 2024, rritjen më të fortë të shpenzimeve e regjistroi kategoria “argëtim dhe kulturë”, me 10%, e ndjekur nga pijet alkoolike dhe duhani me 5,1% dhe transporti me 5%.
Rezultatet e vitit 2025 tregojnë diferenca të forta territoriale në buxhetet e konsumit të familjeve. Tirana është i vetmi qark ku shpenzimet mesatare mujore tejkalojnë 100 mijë lekë, ndërsa Kukësi mbetet në rreth 76 mijë lekë në muaj.