BB: Rreth një e katërta e popullsisë në Shqipëri e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike
Rreth një e katërta e popullsisë në Shqipëri është njëkohësisht e ekspozuar dhe e cenueshme ndaj rreziqeve klimatike.
Rreth një e katërta e popullsisë në Shqipëri është njëkohësisht e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike dhe e cenueshme ndaj pasojave të tyre, sipas të dhënave të raportit të ri të Bankës Botërore. Shqipëria renditet e treta ndër 18 ekonomitë e paraqitura për këtë tregues, pas Bosnjë-Hercegovinës dhe Moldavisë.
Treguesi klimatik nuk mat vetëm numrin e njerëzve që jetojnë në zona të ekspozuara ndaj rreziqeve, por përfshin edhe cenueshmërinë ndaj pasojave dhe aftësinë e kufizuar për t'i përballuar ato. Sipas raportit, Shqipëria qëndron mbi Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi për këtë tregues, ndërsa Bosnjë-Hercegovina regjistron nivelin më të lartë mes ekonomive të paraqitura, e ndjekur nga Moldavia.
Bujqësia mban rreth 31% të punësimit
Ekspozimi ndaj rreziqeve klimatike lidhet edhe me strukturën e ekonomisë dhe të punësimit. Bujqësia vazhdon të përfaqësojë rreth 31% të punësimit në Shqipëri, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e vendeve të punës dhe të ardhurave të familjeve të varen nga një sektor i ndjeshëm ndaj kushteve klimatike.
Nga të dhënat e paraqitura, pesha e punësimit në bujqësi në Shqipëri është dukshëm më e lartë se në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Brenda grupit të ekonomive të analizuara, Shqipëria qëndron pas Moldavisë, Taxhikistanit, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë për peshën e këtij sektori në punësim.
Raporti evidenton një lidhje mes varësisë më të lartë nga bujqësia dhe cenueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Kur një pjesë e madhe e vendeve të punës mbështetet te ky sektor, goditjet ndaj prodhimit bujqësor mund të ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat dhe jetesën e shumë familjeve. Megjithatë, raporti nuk përllogarit një humbje ekonomike specifike për Shqipërinë.
Thatësira dhe moti ekstrem rrezikojnë prodhimin
Banka Botërore paralajmëron se thatësira në Europë, ngjarjet më të shpeshta dhe më të rënda të motit, si dhe kostot e larta të plehrave kimike mund të dëmtojnë prodhimin bujqësor. Rreziqeve klimatike u shtohen edhe ndërprerjet në tregtinë e drithërave dhe në transport, të cilat mund të shtojnë presionet mbi çmimet e produkteve ushqimore.
Në këtë kontekst, ekspozimi i Shqipërisë ndaj rreziqeve klimatike lidhet jo vetëm me mjedisin, por edhe me punësimin dhe të ardhurat e familjeve, veçanërisht për shkak të peshës së lartë që bujqësia vazhdon të ketë në tregun e punës.