Ministri Demo: Së shpejti rritje e konsiderueshme pagash për punonjësit e policisë
Ministri i Brendshëm Ervin Demo njoftoi se po punohet për një rritje të konsiderueshme të pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka njoftuar se pritet një rritje e konsiderueshme e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit. Deklarata u bë gjatë ceremonisë së pritjes së studentëve të rinj në Akademinë e Sigurisë, ku ministri foli për politikat që synojnë përmirësimin e trajtimit të efektivëve.
“Unë besoj që ne shumë shpejt, duke filluar që me politikën e pagave, dhe po e them dhe këtu sot zyrtarisht, që ne jemi në rrugë të mbarë për sa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Do të jetë një rritje e konsiderueshme. Prandaj ditën që ju do të dilni në detyrë do të jeni trajtuar më mirë se paraardhësit tuaj”, deklaroi Demo.
Demo: Një standard i ri duhet të fillojë nga brezi i ri
Sipas ministrit, rritja e pagave synon të jetë pjesë e ndërtimit të një standardi të ri për Policinë e Shtetit, duke ndërthurur përgjegjësinë profesionale me vlerësimin dhe mbështetjen për punonjësit. Duke iu drejtuar studentëve të rinj të Akademisë së Sigurisë, Demo theksoi rëndësinë që brezi i ri do të ketë në të ardhmen e institucionit.
“Një standard i ri unë besoj që fillon nga brezi i ri, e unë jam i bindur që ju do të jeni shembulli më i mirë i asaj çfarë ne duam të projektojmë për të ardhmen, gjithmonë duke ndjekur eksperiencën e ndërtuar prej vitesh e vitesh në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur praktikat më të mira të konsoliduara në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur të gjithë atë që është realizuar me shumë mund dhe në kohë të vështira, nga të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, nënvizoi ministri.
Në deklaratën e tij, Demo nuk dha detaje mbi masën konkrete të rritjes së pagave apo afatin e saktë se kur do të nisë zbatimi i saj, por theksoi se procesi është në rrugë të mbarë dhe se rritja do të përfshijë të gjithë personelin e Policisë së Shtetit.