Secondary Adv

Norma e kredive me probleme të rikuperuara pësoi rënie në gjysmën e parë të këtij viti

Norma e kredive me probleme të rikuperuara ra në 11%, ndërsa kreditë problematike arritën në 37 miliardë lekë.

Aftësia e bankave për të rikuperuar kreditë me probleme shënoi dobësim gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Norma e kredive me probleme të rikuperuara ra në 11%, nga 14% që kishte qenë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Ky tregues mat fluksin e ri të kredive me probleme që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti, në raport me tepricën e kredive me probleme në fund të periudhës. Rënia e tij nënkupton një fluks më të ulët të kredive që riklasifikohen si performuese.


Ndërkohë, norma e dështimit, që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në raport me portofolin e përgjithshëm të kredisë, u rrit në 0.6%, nga 0.5% një gjashtëmujor më parë. Megjithatë, ajo mbeti nën nivelin 1% të regjistruar një vit më parë. Sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, rritja krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm sinjalizon një rritje të lehtë të rrezikut të aktivitetit kreditues, të lidhur me prurjet e reja në portofolin e kredive të humbura.


Kreditë me probleme në minimumin e 18 viteve

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme zbriti më tej në 3.7% në gjysmën e parë të vitit, duke shënuar nivelin më të ulët të 18 viteve të fundit. Në fund të vitit 2025, ky raport ishte 3.8%.


Megjithatë, në vlerë absolute, kreditë me probleme u rritën me 1 miliard lekë, duke arritur në 37 miliardë lekë. Rënia e raportit erdhi si rezultat i rritjes më të shpejtë të tepricës së përgjithshme të kredisë. Kontributin kryesor në rritjen e stokut të kredive me probleme e dhanë kreditë e klasifikuara si “nënstandard”. Bankat raportuan përmirësim të cilësisë së portofolit veçanërisht për kreditë afatshkurtra, kreditë në lekë dhe ato të dhëna për bizneset.


Bankat me kapital të huaj me raportin më të ulët

Në qershor 2026, raporti i kredive me probleme për bankat josistemike ishte 3.5%, ndërsa për bankat sistemike arriti në 3.8%. Sipas origjinës së kapitalit, bankat me kapital të huaj regjistruan një raport prej 3.2%, kundrejt 4% për bankat me kapital vendas.


Me përjashtim të kredive për zhvillim biznesi, të gjitha portofolet e tjera të kredisë sipas qëllimit shënuan përmirësim të cilësisë. Për kreditë për zhvillim biznesi, raporti i kredive me probleme u rrit në 6.7%, nga 6% në dhjetor 2025. Përmirësimin më të madh e regjistroi portofoli i kredive për investime në pasuri të paluajtshme, ku raporti ra në 2.6%, nga 3% në fund të vitit të kaluar.


Portofolet me nivelin më të lartë të kredive me probleme mbeten kreditë afatmesme, kreditë për bizneset dhe kreditë në lekë, me raporte përkatësisht 5.5%, 4.6% dhe 4%. Gjatë periudhës, me përjashtim të kredive afatmesme, këta tregues regjistruan rënie të lehtë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat