Bordi i Transparencës rrit sërish çmimin e naftës dhe benzinës, vetëm një ditë pas uljes
Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të karburanteve, vetëm një ditë pasi kishte miratuar uljen e tyre.
Sipas vendimit të datës 8 tetor 2026, çmimi maksimal i naftës me pakicë është përcaktuar në 217 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës në 193 lekë për litër.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së dytë të Bordit të Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë dhe Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit, në kuadër të masave për kontrollin e çmimeve në tregun e hidrokarbureve.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është caktuar në 217 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë në 205 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është përcaktuar në 193 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 181 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi më 8 tetor 2026, në orën 12:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen ndryshimet e mundshme në treg dhe do të përcaktohen çmimet e reja të shitjes.
Vendimi është marrë në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16 shtator 2026, “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, si dhe në zbatim të neneve 21/3 dhe 21/5 të ligjit nr. 8450, datë 24 shkurt 1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
Gjithashtu, Bordi është mbështetur në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, që parashikon një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Rritja e çmimeve vjen vetëm 24 orë pas vendimit të mëparshëm për uljen e tyre, duke sjellë një tjetër ndryshim të shpejtë të çmimeve maksimale të tregtimit të karburanteve në vend.