Secondary Adv

Rrugë e re 17 km që lidh Veriun me Unazën e Tiranës, hapet tenderi 1.4 mln euro për projektimin

ARRSH ka hapur tenderin për projektimin e një aksi të ri rrugor, i cili do të lidhë drejtpërdrejt autostradën Thumanë-Kashar me Unazën e Madhe të Tiranës, duke shmangur kalimin përmes qendrës së Kamzës.

Rruga e planifikuar do të ketë një gjatësi prej rreth 17 kilometrash, ndërsa fondi limit për studimin dhe projektimin është 138.6 milionë lekë, ose rreth 1.4 milionë euro.


Procedura e prokurimit, e hapur këtë të enjte nga ARRSH, ka si objekt “Studim Projektim Ndërtim rruga Hyrje veriore e cila anashkalon Kamzën, duke lidhur autostradat e veriut, drejtpërdrejt me unazën e re të Tiranës”.


Sipas termave të referencës, aksi i ri parashikohet të nisë në pjesën jugore të nyjës së Rinasit, pranë autostradës Thumanë-Kashar, dhe të përfundojë në Unazën e Madhe të Tiranës, në zonën e Paskuqanit.


Gjurma e propozuar do të kalojë në territorin e Bashkisë Kamëz, përmes zonave të Valiasit dhe Zallherrit, për të vijuar drejt Paskuqanit. Rruga do të ndërpresë aksin ekzistues Kamëz-Fushë Krujë dhe do të kalojë pranë Repartit Ushtarak të Zallherrit dhe depos së ujit, përpara se të lidhet me Lotin 7 të Unazës së Madhe.


Lidhje e drejtpërdrejtë mes autostradës Thumanë-Kashar dhe Unazës së Madhe

Segmenti parashikohet të ndërtohet si një rrugë tërësisht e re, e klasifikuar në kategorinë e rrugëve ndërurbane kryesore. Projekti synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet autostradës Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, dhe Unazës së Madhe të Tiranës.


Përmes Unazës, aksi i ri do të mundësojë lidhjen me autostradën Tiranë-Elbasan dhe Korridorin VIII, duke përmirësuar integrimin e rrjetit rrugor të veriut me infrastrukturën kryesore të transportit në vend.


Sipas dokumentacionit të ARRSH-së, qëllimi kryesor është lehtësimi i qarkullimit të automjeteve që vijnë nga veriu drejt kryeqytetit, duke shmangur kalimin përmes qendrës së Kamzës dhe duke krijuar një alternativë të re për hyrjen në Tiranë.


Do të studiohen të paktën dy variante të gjurmës

Në fazën e projektimit, konsulenti që do të përzgjidhet përmes tenderit do të duhet të analizojë të paktën dy variante të mundshme të gjurmës rrugore. Një prej alternativave do të përfshijë edhe shfrytëzimin e pjesshëm të rrugëve ekzistuese.


Për secilin variant do të hartohen vlerësime teknike dhe ekonomike, me qëllim identifikimin e zgjidhjes më të përshtatshme për realizimin e investimit. Vetëm pas kësaj faze do të përzgjidhet gjurma përfundimtare e aksit.


Projekti do të përfshijë gjithashtu studimin e nyjeve lidhëse në nivel ose disnivel, rrugëve dytësore, mbikalimeve për këmbësorët dhe veprave të tjera të nevojshme infrastrukturore për funksionimin e rrugës.


Projekti do të përcaktojë edhe pronat që preken nga ndërtimi

Një pjesë e dokumentacionit teknik do t'i kushtohet identifikimit të pronave dhe objekteve që mund të preken nga ndërtimi i aksit të ri, si dhe përgatitjes së dokumentacionit të nevojshëm për procedurat e shpronësimit.


Pas përfundimit të studimeve dhe miratimit të projektidesë nga Këshilli Teknik i ARRSH-së, do të hartohet projekti i detajuar i zbatimit, së bashku me preventivin përfundimtar që do të përcaktojë koston e ndërtimit.


Financimi i projektimit është parashikuar në programin buxhetor të transportit rrugor për periudhën 2026-2028.


Hapja e tenderit shënon nisjen e fazës së studimit dhe projektimit të aksit të ri, ndërsa ndërtimi do të kërkojë përfundimin e dokumentacionit teknik dhe përcaktimin e kostos përfundimtare të investimit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat