Secondary Adv

Rezerva valutore arrin shifrën rekord të 8.4 miliardë eurove

Rezerva valutore e Shqipërisë arriti mbi 8.4 miliardë euro në gusht 2026, me rritje 18.7% në bazë vjetore.

Rezerva valutore e Shqipërisë ka shënuar një rekord të ri historik gjatë muajve të verës. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e mjeteve të rezervës në fund të gushtit 2026 arriti në më shumë se 8.4 miliardë euro, duke u rritur me 15.1% që nga fillimi i vitit dhe me 18.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Rritja e vazhdueshme e rezervës valutore vlerësohet se është mbështetur kryesisht nga blerjet e konsiderueshme të valutës që Banka e Shqipërisë ka kryer në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, Banka Qendrore bleu rreth 140 milionë euro, duke regjistruar vlerën më të lartë historike të blerjeve për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, blerjet e valutës u rritën me 320%.


Euro zbret pranë 91.4 lekëve, pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë

Blerjet e valutës vlerësohet se kanë vijuar në nivele të larta edhe gjatë muajve pasues, në përgjigje të forcimit të vazhdueshëm të lekut kundrejt euros. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit të euros ka vijuar rënien, duke prekur një minimum të ri historik pranë nivelit 91.4 lekë në muajin shtator. Edhe aktualisht, kursi i këmbimit mbetet shumë pranë këtij niveli.


Gjatë periudhës 2024–2025, Banka e Shqipërisë bleu më shumë se 2 miliardë euro në tregun e brendshëm valutor, me synimin për të frenuar forcimin e vazhdueshëm të monedhës vendase.


Megjithatë, ndryshimi i vlerës së rezervës valutore nuk lidhet vetëm me blerjet dhe investimet e reja, por ndikohet edhe nga lëvizjet e çmimeve të instrumenteve financiare dhe metaleve të çmuara në tregjet ndërkombëtare.


80% e rezervës valutore investohet në tituj borxhi

Në fund të muajit gusht, titujt e borxhit përbënin 80% të mjeteve të rezervës valutore, ndërsa depozitat në cash zinin afërsisht 12% të saj. Pjesa e mbetur ishte e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).


Rezerva valutore përbën një instrument të rëndësishëm për përballimin e goditjeve të mundshme ekonomike dhe financiare, veçanërisht atyre që lidhen me deficitin e llogarisë korrente dhe nivelin e lartë të euroizimit të sektorit financiar shqiptar.


FMN kërkon kujdes me rritjen e rezervës, humbjet valutore arrijnë 24.1 miliardë lekë

Pavarësisht rritjes së rezervës valutore, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar një qasje më të kujdesshme ndaj akumulimit të mëtejshëm të saj. Në deklaratën e fundit të misionit për Shqipërinë, të vitit 2025, FMN theksonte se përfitimet nga rritja e rezervave duhet të peshohen kundrejt kostove oportune në rritje, rreziqeve që lidhen me normat e interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.


Forcimi i lekut ka sjellë kosto të konsiderueshme në bilancin e Bankës së Shqipërisë. Për vitin 2025, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit arritën në 24.1 miliardë lekë, duke u rritur me 79% krahasuar me një vit më parë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat