Mbifaturimi i energjisë, kompensim brenda tre muajve dhe penalitet për vonesat
Faturat e energjisë elektrike që rezultojnë të paktën dy herë më të larta se mesatarja mujore duhet të verifikohen me procedurë të përshpejtuar brenda 10 ditëve.

Ndërkohë, kur konsumatori kundërshton faturën, furnizimi nuk mund të ndërpritet deri në përfundimin e shqyrtimit të ankesës, sipas kushteve të përgjithshme të kontratës së shërbimit universal të furnizimit me energji elektrike.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka publikuar kushtet e përgjithshme të kontratës së shërbimit universal të furnizimit me energji elektrike, dokument që përcakton të drejtat dhe detyrimet e furnizuesit dhe të klientëve fundorë, përfshirë familjet dhe ndërmarrjet e vogla e mikro.
Dokumenti parashikon rregulla për faturimin, trajtimin e ankesave, ndërprerjen e furnizimit dhe ndryshimin e furnizuesit, duke përcaktuar procedurat që duhet të ndiqen në marrëdhënien kontraktuale me konsumatorët.
Faturat e dyshimta, verifikim brenda 10 ditëve
Një nga pikat më të rëndësishme lidhet me faturat që rezultojnë dukshëm më të larta se konsumi i zakonshëm i klientit. Kur fatura është e barabartë me ose më e madhe se dyfishi i faturimit mesatar mujor për të njëjtën periudhë të krahasueshme, furnizuesi duhet ta pezullojë atë dhe të kryejë verifikimin, anulimin kur është e nevojshme dhe nxjerrjen e faturës së korrigjuar brenda 10 ditëve.
Rregullat parashikojnë gjithashtu se, kur nga verifikimi rezulton mbifaturim, furnizuesi duhet të anulojë faturën përkatëse dhe të lëshojë një faturë të korrigjuar. Nëse klienti e ka paguar tashmë shumën e tepërt, kompensimi duhet të kryhet në faturat pasuese brenda tre muajve.
Në rast se ky kompensim nuk realizohet brenda afatit, furnizuesi duhet t’i njohë klientit një penalitet prej 0,1% në ditë mbi vlerën e diferencës që duhet korrigjuar, i cili zbritet në faturën pasardhëse.
Ankesa për faturën nuk sjell ndërprerjen e energjisë
Kushtet e kontratës përcaktojnë shprehimisht se, për faturat e kundërshtuara nga klienti, furnizimi me energji elektrike nuk ndërpritet deri në përfundimin e shqyrtimit të ankesës nga furnizuesi. Nëse çështja dërgohet për shqyrtim pranë ERE-s, mbrojtja vijon deri në marrjen e vendimit nga Enti.
Megjithatë, kundërshtimi i një fature nuk e përjashton konsumatorin nga detyrimi për të paguar faturat e tjera që nuk janë objekt ankese.
Klientët kanë të drejtë të ankohen fillimisht pranë furnizuesit dhe, nëse nuk marrin përgjigje brenda afatit përkatës ose nuk janë dakord me zgjidhjen e ofruar, t’i drejtohen ERE-s. Sipas dokumentit, Enti shqyrton ankesën brenda 30 ditëve, me mundësi zgjatjeje deri në 30 ditë të tjera kur çështja është komplekse.
Çfarë duhet të përmbajë fatura e energjisë?
Rregullat përcaktojnë një listë të detajuar të informacionit që duhet t’i vihet në dispozicion klientit. Fatura duhet të përmbajë të dhënat e matësit, periudhën e faturimit, konsumin e regjistruar, çmimin për njësi dhe përbërësit e tij, taksat, afatin e pagesës, kamatëvonesat dhe penalitetet e mundshme.
Gjithashtu, duhet të pasqyrohet detyrimi i papaguar i klientit dhe të jepen të dhënat e kontaktit për shërbimin ndaj klientit, ankesat dhe raportimin e defekteve. Fatura duhet të përmbajë edhe informacion mbi të drejtën për t’iu drejtuar ERE-s dhe për të ndryshuar furnizuesin.
Sipas kontratës, fatura mujore duhet të lëshohet jo më vonë se data 10 e muajit pasardhës, për energjinë e konsumuar gjatë muajit paraardhës. Klientët mund ta marrin atë edhe në format elektronik, sipas mënyrës së komunikimit të përzgjedhur.
Kontrata lidhet brenda 7 ditëve pune
Për klientët familjarë dhe ndërmarrjet e vogla ose mikro që plotësojnë kushtet ligjore, dokumenti përcakton se furnizuesi duhet të nënshkruajë kontratën brenda shtatë ditëve pune nga marrja e kërkesës dhe verifikimi i dokumentacionit.
Nëse dokumentet janë të paplota, furnizuesi duhet ta njoftojë aplikuesin me shkrim për mangësitë brenda shtatë ditëve pune. Klienti ka më pas shtatë ditë pune për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar.
Kontrata lidhet, si rregull, për një periudhë të pacaktuar, përveç rasteve kur palët bien dakord për një afat të caktuar. Klienti që dëshiron ta përfundojë atë duhet të njoftojë furnizuesin me shkrim të paktën 15 ditë kalendarike përpara dhe të shlyejë detyrimet financiare të krijuara deri në datën e përfundimit.
Ndryshimi i furnizuesit pa kosto shtesë
Një tjetër element i parashikuar në dokument është e drejta e klientit për të zgjedhur dhe ndryshuar furnizuesin e energjisë elektrike pa tarifa ose kosto shtesë për këtë procedurë, pasi të ketë përmbushur detyrimet e mëparshme për energjinë.
Furnizuesi ekzistues duhet të vijojë furnizimin deri në përfundimin e procedurës së ndryshimit. Klientët kanë gjithashtu të drejtë të marrin informacion të plotë me shkrim për çmimet, tarifat dhe kushtet standarde të shërbimit, si dhe të përfitojnë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues.
Kushtet e përgjithshme parashikojnë edhe mbrojtjen e të dhënave personale të klientëve dhe mundësinë e përdorimit të mekanizmave jashtëgjyqësorë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)