Secondary Adv

Autostrada Murriqan–Balldren, tenderi vitin e ardhshëm, do ndërtohet pa koncesion

Qeveria Shqiptare nisi zyrtarisht procesin e konsultimeve publike dhe angazhimit të palëve të interesuara për projektin e autostradës Murriqan- Balldrenë.

Ky aks prej 41 kilometrash përbën segmentin e parë dhe portën hyrëse të Korridorit Adriatiko-Jonian në territorin shqiptar, i cili do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi përmes një infrastrukture të standardeve të larta europiane.


Projekti, i cili kalon në territorin e bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Lezhë, synon të zëvendësojë rrugën ekzistuese të një standardi të ulët me një autostradë moderne të Kategorisë A.


Ajo do të jetë me katër korsi (dy për secilin drejtim), e rrethuar plotësisht për siguri, dhe me një shpejtësi të projektuar prej 120 km/orë.


Pjesë e projektit janë edhe 5 kryqëzime në disnivel (Murriqan, Velipojë, Vau i Dejës, Gjadër dhe Balldren), si dhe ndërtimi i një ure të re madhore mbi Lumin Buna.


Jo koncesion, por tender klasik publik në vitin 2027

Një nga detajet më rëndësishme që sqarojnë dokumentet është se kjo autostradë nuk do të ndërtohet me koncesion apo përmes skemave Partneritet Publik-Privat, si pjesa tjetër e saj nga Balldrena deri në Fier. Projekti do të zbatohet me prokurim të drejtpërdrejtë shtetëror.


Financimi pritet të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si financues kryesor, mbështetur edhe nga grante dhe ndihmë teknike nga Bashkimi Europian përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ëBIF).


Sipas kalendarit zyrtar të punimeve, hartimi i Projekt-Zbatimit të Detajuar dhe përgatitja e paketës mjedisore kanë nisur në qershor të vitit 2025 dhe kanë një afat kohor prej 24 muajsh.


Ky proces pritet të përmbyllë plotësisht dokumentacionin teknik në qershor të vitit 2027. Menjëherë pas këtij afati, ARRSH do të shpallë tenderin ndërkombëtar për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë punimet fizike në terren, duke i hapur rrugë nisjes së ndërtimit të Autostradës.


Nisja e fazës së konsultimeve vjen paralelisht me përditësimet e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social. Duke qenë se gjurma e autostradës shtrihet kryesisht në zona fushore bujqësore, dokumentet zyrtare konfirmojnë se ka nisur anketimi socio-ekonomik i banorëve që preken nga projekti.


Për të shmangur izolimin e komuniteteve, projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti të tërë rrugësh lokale dhe nënkalimesh për këmbësorët, mjetet bujqësore dhe bagëtinë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat