Secondary Adv

Çmimet e konsumit në Kosovë vijojnë të rriten, inflacioni arrin në 7.8 për qind në shtator

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë vijuar të rriten, duke e çuar inflacionin vjetor në 7.8 për qind gjatë muajit shtator 2026.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritjet më të mëdha janë regjistruar në transport, strehim, energji elektrike dhe ngrohje. Ndërkohë, krahasuar me muajin gusht, çmimet e konsumit janë rritur me 0.2 për qind.


Të dhënat e publikuara nga ASK tregojnë se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ishte 7.8 për qind më i lartë në shtator 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, duke reflektuar vijimin e presioneve inflacioniste në ekonominë e Kosovës.


“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 7,8 % në muajin shtator 2026, krahasuar me muajin shtator 2025. Inflacioni mujor ishte 0,2 % në muajin shtator 2026”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.


Transporti shtrenjtohet me 23.9 për qind, rriten edhe kostot e banimit dhe energjisë

Rritja më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar në sektorin e transportit, ku shtrenjtimi ka arritur në 23.9 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.


Pas transportit renditet grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me një rritje prej 11.9 për qind.


Këto dy kategori përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve të familjeve dhe bizneseve, duke bërë që ndikimi i inflacionit të ndihet jo vetëm te produktet ushqimore, por edhe te transporti, banimi dhe shërbimet bazë.


Rritje të konsiderueshme vjetore janë regjistruar edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, me 6.3 për qind, ndërsa çmimet e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit janë rritur me 5.2 për qind.


Në sektorin e shëndetësisë, shtrenjtimi vjetor ka arritur në 4.5 për qind, ndërsa grupi i kujdesit personal, mbrojtjes sociale dhe mallrave e shërbimeve të ndryshme ka regjistruar një rritje prej 3.8 për qind.


Çmimet e mobilieve, pajisjeve shtëpiake dhe shërbimeve të mirëmbajtjes rutinore të banesave janë rritur me 3.5 për qind, ndërsa veshjet dhe këpucët janë shtrenjtuar me 3 për qind.


Ushqimet dhe pijet joalkoolike, një nga kategoritë kryesore të konsumit familjar, kanë regjistruar një rritje vjetore prej 2.4 për qind.


Rritje më të moderuara janë shënuar në sektorin e rekreacionit, sportit dhe kulturës, me 1.8 për qind, në informacion dhe komunikim, me 0.7 për qind, si dhe në sigurime dhe shërbime financiare, me 0.3 për qind.


E vetmja kategori që ka regjistruar rënie vjetore të çmimeve është ajo e shërbimeve arsimore, ku është evidentuar një ulje prej 0.3 për qind krahasuar me shtatorin 2025.


Inflacioni mujor 0.2 për qind, transporti dhe pijet alkoolike me rritjen më të lartë

Pavarësisht se rritja mujore e çmimeve ishte më e ulët se ajo vjetore, inflacioni në Kosovë mbeti pozitiv edhe gjatë shtatorit.


Sipas ASK-së, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit u rrit me 0.2 për qind krahasuar me muajin gusht 2026.


Rritjet më të mëdha mujore u regjistruan te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, si dhe te transporti, ku çmimet u shtrenjtuan me nga 0.9 për qind.


Shërbimet arsimore regjistruan një rritje mujore prej 0.5 për qind, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare u shtrenjtuan me 0.3 për qind.


Rritje prej 0.2 për qind u regjistruan te kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme, shëndetësia, restorantet dhe shërbimet e akomodimit, si dhe te strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse.


Ndërkohë, çmimet në grupin e informacionit dhe komunikimit u rritën me 0.1 për qind. Të njëjtin ritëm shtrenjtimi regjistruan edhe veshjet dhe këpucët, si dhe mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e banesave.


Në kahun tjetër, gjatë shtatorit u regjistruan edhe ulje të çmimeve në disa kategori. Rekreacioni, sporti dhe kultura shënuan një rënie mujore prej 1.8 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike u liruan me 0.2 për qind krahasuar me gushtin.


Deficiti tregtar arrin në 568 milionë euro gjatë gushtit

Paralelisht me rritjen e çmimeve të konsumit, të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se Kosova vijon të ketë një diferencë të konsiderueshme ndërmjet vlerës së mallrave që importon dhe atyre që eksporton.


Gjatë muajit gusht 2026, importet arritën në 668.5 milionë euro, ndërsa eksportet u regjistruan në 100.5 milionë euro.


Si rezultat, deficiti tregtar i Kosovës arriti në 568 milionë euro, ndërsa mbulueshmëria e importeve nga eksportet ishte rreth 15 për qind.


Krahasuar me gushtin e vitit 2025, kur deficiti tregtar ishte 536.8 milionë euro, hendeku ndërmjet importeve dhe eksporteve është zgjeruar me 5.8 për qind.


Në të njëjtën periudhë, importet janë rritur me 9 për qind, ndërsa eksportet kanë regjistruar një rritje më të shpejtë, prej 31.9 për qind.


Megjithatë, pavarësisht rritjes së eksporteve, vlera e mallrave që Kosova blen nga tregjet ndërkombëtare mbetet shumë më e lartë se ajo e produkteve që shet jashtë vendit.


Të dhënat e shtatorit tregojnë se inflacioni në Kosovë vijon të ndikohet veçanërisht nga shtrenjtimi i transportit dhe kostove të banimit e energjisë. Ndërkohë, deficiti i lartë tregtar pasqyron varësinë e vazhdueshme të ekonomisë nga importet, pavarësisht rritjes së eksporteve gjatë muajve të fundit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat