Secondary Adv

Ministria e Financave kundërshton Garancinë Sovrane për kreditë e strehimit social

Financat kërkojnë heqjen e Garancisë Sovrane nga projektligji për strehimin social, për shkak të rreziqeve buxhetore.

Ministria e Financave ka kundërshtuar përfshirjen e instrumentit të Garancisë Sovrane në projektligjin për ndryshimet në ligjin e strehimit social, duke kërkuar heqjen e plotë të dispozitave që parashikojnë këtë mekanizëm. Kundërshtimi vjen në kuadër të rishikimit të draftit të qeverisë, i cili synon zgjerimin e mundësive për përfitimin e kredive të strehimit dhe programeve të tjera mbështetëse për familjet.


Në versionin fillestar të projektligjit, të publikuar për konsultim në korrik 2026, Garancia Sovrane ishte parashikuar si një nga instrumentet kryesore të mbështetjes për kreditë e strehimit. Përmes saj, shteti do të garantonte një pjesë të principalit të kredisë së akorduar nga institucionet financiare, duke marrë përsipër edhe rrezikun e mbulimit të një pjese të detyrimeve në rast se huamarrësit nuk arrinin të shlyenin kreditë.


Financat: Garancia Sovrane krijon rreziqe për buxhetin e shtetit

Në komentet e dërguara më 20 gusht 2026 për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar”, Ministria e Financave kërkon heqjen e dispozitave që parashikojnë përdorimin e Garancisë Sovrane. Sipas institucionit, mekanizmi i propozuar bie ndesh me kuadrin ligjor për huamarrjen shtetërore dhe garancitë shtetërore, ndërsa mund të krijojë detyrime të reja financiare për buxhetin.


Përveç ekspozimit ndaj rrezikut fiskal, Ministria e Financave ngre pikëpyetje edhe mbi efektivitetin e skemës. Sipas saj, kreditë për blerjen e banesave mund të garantohen nga vetë prona që financohet, ndaj përfshirja e një garancie shtetërore mund të shërbejë kryesisht për të rritur sigurinë e institucioneve huadhënëse, duke zhvendosur një pjesë të barrës së rikuperimit të detyrimeve drejt shtetit.


Për këto arsye, Ministria e Financave propozon heqjen e nenit 1, pika 16/1, dhe nenit 9 nga projektligji, si dhe eliminimin e termit “Garanci Sovrane” nga e gjithë përmbajtja e projektaktit.


“Ritheksojmë se çdo mekanizëm garancie shtetërore duhet të zbatohet ekskluzivisht në përputhje me regjimin juridik të përcaktuar në ligjin nr. 9665/2006, i ndryshuar, dhe legjislacionin për administrimin e financave publike”, theksohet në komentet e Ministrisë së Financave.


Zgjerimi i përfituesve të strehimit social, shqetësime për kostot shtesë

Ministria e Financave ka ngritur shqetësime edhe për ndikimin financiar të dispozitave të tjera të projektligjit. Në nenin 7 parashikohet krijimi i një programi të posaçëm për mbështetjen e kategorive të veçanta përmes subvencionimit të qirasë, ndërsa neni 10 propozon ndryshimin e kriterit ekonomik për përfitimin nga programi i banesave me kosto të ulët.


Ndryshimi i propozuar parashikon rritjen e kufirit të të ardhurave nga 1/6 në 1/2 të vlerës mesatare të banesës në treg, me qëllim zgjerimin e numrit të familjeve që mund të përfitojnë nga ky instrument.


Sipas Ministrisë së Financave, këto ndryshime pritet të shoqërohen me kosto shtesë për buxhetin, për shkak të rritjes së numrit të përfituesve. Për këtë arsye, institucioni kërkon që projektligji të shoqërohet me një vlerësim të ndikimit financiar dhe me përcaktimin e burimeve që do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve.


“Këto parashikime do të shoqërohen me kosto të shtuara financiare, për sa kohë rritet numri i përfituesve, për të cilat duhet të paraqitet një parashikim, si dhe burimi i financimit”, thuhet në komentet e Financave.


Ministria e Ekonomisë: Garancia do të aktivizohet vetëm sipas marrëveshjes

Komentet e Ministrisë së Financave janë reflektuar pjesërisht në versionin e rishikuar të projektligjit. Megjithatë, Ministria e Ekonomisë ka sqaruar se mekanizmi i Garancisë Sovrane do të aktivizohet vetëm në rastet e përcaktuara në marrëveshjen përkatëse të garancisë dhe do të administrohet sipas procedurave që do të miratohen përmes akteve nënligjore.


Qëndrimet e dy ministrive nxjerrin në pah diskutimet mbi mënyrën e financimit të programeve të reja të strehimit social dhe ndikimin që zgjerimi i mbështetjes shtetërore mund të ketë në financat publike. Ndërsa projektligji synon të lehtësojë aksesin në strehim për më shumë familje, Ministria e Financave kërkon që instrumentet e propozuara të jenë në përputhje me legjislacionin financiar dhe të shoqërohen me parashikime të qarta të kostove buxhetore.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat