Secondary Adv

Hyrja veriore e Tiranës ndryshon, rruga e re 17 km do të shmangë Kthesën e Kamzës, harta e plotë

ARRSH nis projektimin e hyrjes së re veriore të Tiranës, një aks 17 km që do të lidhë Thumanë–Kasharin me Unazën e Madhe.

Hyrja në Tiranë për automjetet që vijnë nga veriu i vendit pritet të ndryshojë me ndërtimin e një aksi të ri rrugor, i cili synon të shmangë trafikun e rënduar në qendër të Kamzës dhe në Kthesën e Kamzës, në zonën e Laprakës. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur procedurat për projektimin e Hyrjes së Re Veriore të Tiranës, një rrugë strategjike me gjatësi rreth 17 kilometra, që do të lidhë autostradën Thumanë–Kashar me Unazën e Madhe të kryeqytetit.


Projekti parashikohet të financohet nga buxheti i shtetit gjatë periudhës 2026–2028, ndërsa fondi limit fillestar për fazën e projektimit është rreth 1.8 milionë euro. Aksi i ri synon të devijojë trafikun tranzit jashtë zonave të banuara të Kamzës, duke krijuar një alternativë për automjetet që udhëtojnë nga Shkodra, Lezha dhe Kukësi drejt Tiranës apo juglindjes së vendit.


Gjurmë e re nga Rinasi në Paskuqan, shmanget qendra e Kamzës

Aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e automjeteve që vijnë nga veriu kalojnë përmes Kamzës dhe Kthesës së Kamzës, ku trafiku i rënduar shkakton vonesa të vazhdueshme. Me realizimin e projektit të ri, mjetet tranzit do të kenë mundësi të përdorin një itinerar alternativ, pa qenë e nevojshme të përshkojnë qendrën e Kamzës.


Sipas gjurmës së propozuar, rruga do të nisë në pjesën jugore të nyjes së Rinasit, në kilometrin 0+000 të projektit, ku automjetet që vijnë nga autostrada Thumanë–Kashar do të devijojnë drejt aksit të ri. Prej aty, traseja do të kalojë në periferi, përmes fushave të Valiasit dhe Zallherrit, pranë Repartit Ushtarak, duke anashkaluar zonat e banuara dhe qendrën e Kamzës.


Aksi do të përfundojë në Paskuqan, ku parashikohet të lidhet drejtpërdrejt me Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës. Rruga e re është konceptuar si rrugë ndërurbane kryesore, me katër korsi, për të përballuar fluksin e automjeteve që lëvizin drejt kryeqytetit dhe akseve të tjera kombëtare.


Lidhje direkte me autostradën Tiranë–Elbasan dhe Korridorin VIII

Një nga përfitimet kryesore të projektit pritet të jetë përmirësimi i lidhjes rrugore ndërmjet veriut dhe juglindjes së Shqipërisë. Automjetet që vijnë nga Shkodra, Lezha apo Kukësi do të mund të futen në Unazën e Madhe përmes Paskuqanit dhe të vijojnë drejt autostradës Tiranë–Elbasan, pjesë e Korridorit VIII, pa hyrë në rrugët e brendshme të kryeqytetit.


Sipas konceptit të projektit, kjo lidhje do të mundësojë qarkullim pa ndërprerje nga semaforët përgjatë itinerarit të ri, duke reduktuar kohën e udhëtimit dhe ngarkesën e trafikut në hyrjen ekzistuese veriore të Tiranës.


Ndërtimi i aksit synon gjithashtu të përmirësojë shpërndarjen e trafikut tranzit dhe të krijojë një lidhje më funksionale ndërmjet autostradës Thumanë–Kashar, Unazës së Madhe dhe autostradës Tiranë–Elbasan.


Projektimi do të zgjasë 18 muaj, më pas tenderi për punimet

Sipas Termave të Referencës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kompanitë projektuese do të kenë një afat prej 10 muajsh për hartimin e Projekt-Idesë, gjatë së cilës do të shqyrtohen dy variante të mundshme të gjurmës së rrugës.


Pas përzgjedhjes së variantit përfundimtar, do të nevojiten edhe 8 muaj për përgatitjen e Projekt-Zbatimit të detajuar. Në total, faza e projektimit parashikohet të zgjasë 18 muaj.


Përpara nisjes së punimeve në terren, projekti duhet të kalojë edhe procedurat përkatëse për raportet e shpronësimeve dhe Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM). Pas miratimit të dokumentacionit të nevojshëm, ARRSH do të mund të hapë procedurën e tenderimit për ndërtimin e aksit të ri.


Realizimi i Hyrjes së Re Veriore të Tiranës synon të krijojë një alternativë të rëndësishme për trafikun që vjen nga veriu, duke shmangur Kthesën e Kamzës dhe duke përmirësuar lidhjen me rrjetin kryesor rrugor të vendit.


Burimi: Kapitali.al


Më të lexuarat