Secondary Adv

Hapet tenderi 8.5 milionë euro për impiantin e ujërave të ndotura në Jalë

Ujësjellësi i Vlorës hap tenderin për impiantin e ujërave të ndotura në Jalë, me fond limit 778.7 milionë lekë.

Një investim prej rreth 8.5 milionë eurosh është parashikuar për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemit të kanalizimeve në Jalë, një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të rivierës shqiptare. Projekti synon të zgjidhë një prej problemeve kryesore infrastrukturore të zonës, ku zhvillimi i shpejtë i turizmit nuk është shoqëruar me zgjerimin e nevojshëm të rrjetit të kanalizimeve.


Ujësjellësi i Vlorës ka hapur procedurën e prokurimit për objektin “Ndërtim Montim Impiant i Trajtimit të Ujërave të Ndotura dhe sistemi KUZ, Jalë”, me fond limit prej 778.7 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 8.49 milionë euro.


Sipas dokumenteve të tenderit, të konsultuara nga ekofin.al, procedura është e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, ndërsa afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 11 nëntor 2026.


Impiant i ri, tre stacione pompimi dhe rrjet kanalizimesh

Projekti parashikon ndërtimin e një sistemi të centralizuar për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura në zonën turistike të Jalës, pjesë e Bashkisë Himarë. Sipas raportit teknik të hartuar në qershor 2025, investimi përfshin ndërtimin e një rrjeti të ri kanalizimesh, tre stacioneve të pompimit dhe një impianti modern për trajtimin e ujërave të ndotura.


Infrastruktura është projektuar për një kapacitet fillestar prej 6,100 banorësh dhe një kapacitet përfundimtar prej 8,387 banorësh, bazuar në vlerësimet e përdorura në dokumentacionin teknik.


Rrjeti i propozuar do të mbulojë një sipërfaqe prej rreth 64 mijë metrash katrorë, duke synuar krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e ujërave të ndotura dhe reduktimin e ndikimit të tyre në mjedis, veçanërisht në ujërat bregdetare.


Turizmi rrit presionin mbi infrastrukturën ekzistuese

Dokumentacioni teknik evidenton se zhvillimi i shpejtë i turizmit në Jalë ka shtuar ndjeshëm presionin mbi infrastrukturën ekzistuese. Aktualisht, zona nuk disponon një sistem të plotë dhe të centralizuar për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura.


Pjesa më e madhe e ndërtesave, përfshirë hotelet, njësitë akomoduese dhe bizneset turistike, mbështeten në sisteme individuale, kryesisht gropa septike ose depozita të mbyllura. Sipas raportit teknik, këto zgjidhje rezultojnë të pamjaftueshme për përballimin e fluksit të turistëve gjatë sezonit veror, duke krijuar problematika sanitare dhe rreziqe për cilësinë e ujërave bregdetare.


Kjo situatë ka nxitur nevojën për një investim të centralizuar, që synon të përmirësojë standardet mjedisore dhe kushtet infrastrukturore në një prej zonave me potencial të lartë turistik në jug të Shqipërisë.


Mbrojtja e detit, objektivi kryesor i investimit

Sipas raportit të thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), projekti synon të reduktojë ndotjen e ujërave sipërfaqësore, nëntokësore dhe detare përmes grumbullimit dhe trajtimit të kontrolluar të ujërave të ndotura.


Impianti është konceptuar për të realizuar procese të trajtimit fizik dhe biologjik, me pajisje që mundësojnë largimin e mbetjeve të ngurta, rërës, yndyrave dhe ndotësve të tjerë. Dokumentacioni i operimit dhe mirëmbajtjes parashikon instalimin e dy njësive të parafabrikuara për trajtimin paraprak, secila me kapacitet prej 45 litrash në sekondë.


Investimi përfshin gjithashtu sisteme kontrolli dhe mirëmbajtjeje për të garantuar funksionimin e vazhdueshëm të impiantit, veçanërisht gjatë periudhave të sezonit turistik, kur ngarkesa mbi rrjetin e kanalizimeve është më e lartë.


Punimet mund të ndikojnë përkohësisht aktivitetin turistik

Ndërtimi i impiantit dhe i rrjetit të kanalizimeve pritet të shoqërohet me ndërhyrje në terren, hapje kanalesh, lëvizje makinerish dhe punime të tjera infrastrukturore. Raporti i ndikimit në mjedis evidenton se gjatë fazës së ndërtimit mund të krijohen shqetësime të përkohshme nga zhurmat, pluhuri dhe qarkullimi i mjeteve të punës, veçanërisht pranë strukturave akomoduese dhe zonave rekreative.


Për të kufizuar këto ndikime, dokumentacioni rekomandon që punimet me zhurmë të planifikohen gjatë orëve të ditës, duke shmangur ndërhyrjet shqetësuese gjatë natës, fundjavave dhe periudhave të ndjeshme për aktivitetin turistik.


Zbatimi i këtyre masave konsiderohet i rëndësishëm për të minimizuar ndikimin e kantierit mbi bizneset dhe vizitorët, ndërsa investimi synon të sigurojë një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e ujërave të ndotura dhe mbrojtjen e mjedisit bregdetar në Jalë.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat