Secondary Adv

KLSH ngre alarmin: Shqipëria lejoi 10 pesticide të ndaluara nga BE

Auditimi i KLSH-së zbulon 10 pesticide të ndaluara në BE dhe kufij më të lartë për 14 pesticide të tjera në Shqipëri.

Shqipëria ka lejuar qarkullimin e 10 pesticideve të ndaluara në Bashkimin Europian gjatë periudhës 2022–2024, ndërsa për 14 pesticide të tjera, kufijtë maksimalë të mbetjeve të miratuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë qenë disa herë më të lartë se standardet europiane.


Këto janë disa nga gjetjet kryesore të një raporti auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili evidenton problematika në kontrollin dhe rregullimin e përdorimit të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB) në Shqipëri.


Auditimi përfshin produkte bujqësore të konsumuara gjerësisht, si luleshtrydhet, patatet, rrushi, ullinjtë, mandarinat, lulelakra, domatet, kastravecat dhe shalqiri. Sipas KLSH-së, mospërputhjet me standardet e Bashkimit Europian krijojnë rreziqe për shëndetin e konsumatorëve, mjedisin dhe eksportet bujqësore shqiptare.


Dhjetë pesticide të ndaluara në BE rezultuan të lejuara në Shqipëri

Nga krahasimi i listave të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me listat përkatëse të Bashkimit Europian, KLSH ka konstatuar se gjatë viteve 2022–2024 në Shqipëri rezultonin të lejuara 10 pesticide të ndaluara në BE.


Substancat e identifikuara në raport janë Metaflumizone, Clofentezine, Smetolachlor, Spinetoram, Diethofencarb, Metribuzin, Spirotetramat, Metiram, Dimethomorph dhe Meptyldinocap.


Këto produkte përdoren për qëllime të ndryshme në bujqësi, përfshirë luftimin e insekteve që dëmtojnë bimët, kontrollin e sëmundjeve të kulturave bujqësore dhe eliminimin e barërave të këqija. Raporti ngre shqetësime për rreziqet që mund të lidhen me përdorimin e tyre, përfshirë efektet toksike dhe ndikimet e mundshme në sistemin hormonal, shëndetin e njerëzve dhe mjedisin.


“Lënia në qarkullim e këtyre PMB-ve, sjell pasoja në shëndetin e popullatës, kafshëve dhe bimëve”, thuhet në raportin e KLSH-së.


Institucioni i referohet edhe Rregullores (EC) nr. 1107/2009 të Bashkimit Europian, e cila përcakton kuadrin për miratimin dhe vendosjen në treg të produkteve për mbrojtjen e bimëve, duke zbatuar parimin e kujdesit për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.


Për 14 pesticide, kufijtë e miratuar ishin disa herë më të lartë se në BE

Një tjetër problematikë e evidentuar nga auditimi lidhet me nivelet maksimale të mbetjeve të pesticideve në produktet bujqësore. KLSH ka krahasuar normat e përcaktuara në Udhëzimin nr. 11, datë 10.05.2021, të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “Për nivelin maksimal të mbetjeve të pesticideve në fruta, perime, fara të freskëta dhe/ose të përpunuara”, me standardet e Bashkimit Europian.


Nga ky krahasim ka rezultuar se për 14 lloje pesticidesh, të përdorura në kultura si luleshtrydhet, patatet, rrushi, ullinjtë, mandarinat, lulelakra, domatet, kastravecat dhe shalqiri, kufijtë e miratuar në Shqipëri ishin disa herë më të lartë se ata të lejuar në BE. Në disa raste, sipas raportit, nuk ishin përcaktuar fare nivele maksimale, duke krijuar hapësira për abuzim me përdorimin e pesticideve.


“Normat e miratuara nga MBZHR për 14 lloje pesticidesh për përdorim në produktet e mësipërme janë disa herë më të larta se ato të miratuara e të pranuara nga BE, si dhe në disa raste nuk janë përcaktuar normativa të nivelit maksimal të përdorimit të pesticideve, duke lënë hapësirë për abuzim në përdorimin e tyre”, theksohet në raportin e KLSH-së.


Sipas institucionit, këto mospërputhje bien ndesh me disa dispozita ligjore, marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria në kuadër të integrimit europian, si dhe me akte të miratuara ndër vite nga vetë Ministria e Bujqësisë.


KLSH: Listat e pesticideve nuk përmbajnë të dhëna të plota

Auditimi ka evidentuar mangësi edhe në informacionin e publikuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për Produktet për Mbrojtjen e Bimëve të lejuara në treg.


Sipas KLSH-së, listat nr. 1 të PMB-ve të publikuara nga ministria nuk përmbajnë të dhëna të plota. Për të garantuar sigurinë, kontrollin dhe transparencën, në këto lista duhet të përcaktohet, ndër të tjera, edhe afati i vlefshmërisë në qarkullim për secilin produkt, sipas praktikës së ndjekur në vendet e Bashkimit Europian.


Raporti thekson se përmbushja e këtij detyrimi lidhet edhe me Vendimin nr. 366, datë 16.06.2023, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Ushqimore 2023–2027”, e cila parashikon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar në fushën e sigurisë ushqimore me atë të Bashkimit Europian.


Gjithashtu, KLSH i referohet Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), të ratifikuar me Ligjin nr. 9590, datë 27.07.2006. Neni 70, “Përafrimi i Legjislacionit”, dhe neni 95, “Bujqësia dhe sektori agro-industrial”, parashikojnë detyrimin për hartimin dhe miratimin e akteve ligjore e nënligjore në përputhje me legjislacionin europian.


Rreziqe për shëndetin, ndotjen e tokës dhe eksportet bujqësore

Kontrolli i Lartë i Shtetit paralajmëron se mospërputhjet ndërmjet standardeve shqiptare dhe atyre europiane nuk përbëjnë vetëm një problem të kuadrit rregullator, por mund të kenë pasoja afatgjata për shëndetin e popullsisë dhe mjedisin.


Sipas raportit, përdorimi afatgjatë i pesticideve mund të ndikojë në ndotjen e tokës bujqësore, ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, ndërsa nivelet e papërshtatshme të mbetjeve në produktet ushqimore krijojnë shqetësime për sigurinë e konsumatorëve.


Institucioni evidenton gjithashtu ndikimin e mundshëm ekonomik, veçanërisht për prodhimet bujqësore shqiptare të destinuara për eksport. Mospërputhja me standardet europiane mund të krijojë vështirësi për tregtimin e këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare.


“Kjo mospërputhje serioze midis niveleve të lejuara të pesticideve në Shqipëri dhe atyre të vendosura nga BE për disa produkte bujqësore të destinuara për konsum dhe për eksport, ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe shëndetin e popullsisë në afatgjatë”, thuhet në raport.


KLSH paralajmëron se pasojat mund të rëndohen edhe nga ndotja e mjedisit, për shkak të përdorimit afatgjatë të pesticideve, ndërsa ndikimi ekonomik mund të përhapet në të gjithë zinxhirin e prodhimit bujqësor.


“Pasojat rëndohen kur konsiderohet dëmi në ndotjen e mjedisit në drejtim të kontaminimit të tokës bujqësore e ujërave si rezultat i përdorimit afatgjatë. Nga ana tjetër efekti është zinxhir për shkak se ekonomia bujqësore shqiptare është e organizuar në miniferma bujqësore, prodhimet e të cilave janë të destinuara për eksport”, thekson KLSH.


Gjetjet e auditimit për periudhën 2022–2024 evidentojnë nevojën për përputhjen e listave të pesticideve të lejuara dhe kufijve maksimalë të mbetjeve me standardet e Bashkimit Europian, si dhe për përmirësimin e transparencës dhe kontrollit të produkteve për mbrojtjen e bimëve.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat