Secondary Adv

Rriten sërish çmimet e karburanteve, nafta shkon 219 lekë dhe benzina 196 lekë/litër

Bordi i Transparencës rrit çmimet e karburanteve. Nafta shtrenjtohet me 6 lekë dhe benzina me 2 lekë për litër.

Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke përcaktuar kufij të rinj maksimalë për tregtimin e naftës dhe benzinës. Sipas vendimit të marrë më 13 tetor 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë të naftës do të jetë 219 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me jo më shumë se 196 lekë për litër.


Krahasuar me vendimin e mëparshëm të Bordit, të datës 9 tetor 2026, nafta është shtrenjtuar me 6 lekë për litër, nga 213 në 219 lekë, ndërsa benzina është rritur me 2 lekë për litër, nga 194 në 196 lekë.


Çmimet e reja të naftës dhe benzinës

Sipas vendimit të Bordit të Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë dhe Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe të Gazit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë të gazoilit të standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 219 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë në 207 lekë për litër.


Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 196 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 184 lekë për litër.


Çmimet e reja hyjnë në fuqi më 13 tetor 2026, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të shqyrtohen dhe pasqyrohen ndryshimet e mundshme të çmimeve të tregtimit.


Bordi paralajmëron pezullim aktiviteti për operatorët që shkelin vendimin

Bordi i Transparencës u ka kërkuar të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës të zbatojnë çmimet maksimale të përcaktuara në vendimin e fundit.


Institucioni paralajmëron se në rast të konstatimit të shkeljeve nga operatorët e tregut, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.


Vendimi është marrë në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026, “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, si dhe në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit nr. 8450, datë 24.02.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.



Gjithashtu, Bordi është mbështetur në Aktin Normativ nr. 1, datë 03.04.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.


Tre ministri angazhohen për mbrojtjen e konsumatorëve

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar angazhimin e tyre për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në tregun e hidrokarbureve.


Vendimi i fundit i Bordit të Transparencës shënon një tjetër ndryshim të çmimeve të karburanteve brenda pak ditësh, pas uljes së miratuar më 9 tetor. Kufijtë e rinj maksimalë do të zbatohen nga të gjithë operatorët deri në marrjen e një vendimi tjetër nga Bordi.


Burimi: Euronews


Më të lexuarat