Secondary Adv

Shitjet online: Nga kthimi i produkteve tek transparenca, rregulla të reja për bizneset

Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit parashikon rregulla të reja për kthimin e porosive dhe vlerësimet online.

Bizneset që shesin produkte dhe shërbime online pritet të përballen me kërkesa më të qarta për kthimin e porosive, transparencën e ofertave dhe besueshmërinë e komenteve të klientëve. Projektligji i ri “Për mbrojtjen e konsumatorit” parashikon mekanizma për të lehtësuar tërheqjen nga kontratat e lidhura në internet dhe për të kufizuar praktikat që mund të ndikojnë në mënyrë çorientuese në vendimmarrjen e blerësve.


Një ndër dispozitat kryesore është e drejta e konsumatorit për t'u tërhequr nga kontratat në distancë brenda 14 ditëve kalendarike, pa qenë i detyruar të japë arsye. Për blerjen e mallrave, afati fillon përgjithësisht nga dita kur konsumatori merr produktin në dorëzim, ndërsa për kontratat e shërbimeve llogaritet nga dita e lidhjes së kontratës.


Kjo e drejtë zbatohet sipas kushteve dhe përjashtimeve të përcaktuara në projektligj, ndër të cilat përfshihen disa produkte të personalizuara, mallrat që prishen shpejt dhe kategori të caktuara produktesh të vulosura që nuk mund të kthehen pas hapjes për arsye higjienike. Nëse tregtari nuk e informon konsumatorin për të drejtën e tërheqjes, afati përfundon 12 muaj pas përfundimit të periudhës fillestare 14-ditore.


Tërheqja nga blerja duhet të jetë e aksesueshme online

Një element i rëndësishëm i projektligjit lidhet me mënyrën se si konsumatorët mund të ushtrojnë të drejtën e tërheqjes nga kontratat e lidhura në internet. Neni 63 parashikon që tregtarët që lidhin kontrata përmes ndërfaqeve online duhet të sigurojnë një funksion të veçantë për tërheqjen nga kontrata.


Ky funksion duhet të jetë i dukshëm, lehtësisht i aksesueshëm dhe i disponueshëm gjatë gjithë periudhës kur konsumatori ka të drejtë të tërhiqet. Projektligji parashikon përdorimin e një formulimi të qartë, si “tërhiqu këtu nga kontrata”, ndërsa konsumatori duhet të ketë mundësinë ta konfirmojë kërkesën në mënyrë elektronike. Pas marrjes së kërkesës, tregtari duhet t'i dërgojë konsumatorit konfirmimin përkatës, duke përfshirë datën dhe orën e paraqitjes së saj.


Në rast kthimi, konsumatori duhet t'ia dorëzojë produktin tregtarit brenda 14 ditëve nga njoftimi i tërheqjes. Kostot e drejtpërdrejta të kthimit paguhen nga konsumatori, përveç rasteve kur tregtari merr përsipër t'i mbulojë ose nuk e ka informuar paraprakisht për këtë detyrim.


Rregulla të reja për renditjen e produkteve dhe komentet e klientëve

Projektligji trajton edhe mënyrën se si platformat online paraqesin produktet dhe vlerësimet e konsumatorëve. Sipas nenit 25, kur një platformë u mundëson përdoruesve të kërkojnë produkte të tregtarëve të ndryshëm, ajo duhet të japë informacion mbi parametrat kryesorë që përcaktojnë renditjen e rezultateve.


Konsumatorët duhet të kenë mundësi të kuptojnë se mbi çfarë kriteresh shfaqen ofertat dhe sa rëndësi kanë këto kritere në krahasim me njëra-tjetrën. Informacioni duhet të vendoset në një seksion të veçantë, lehtësisht të aksesueshëm nga faqja ku paraqiten rezultatet e kërkimit.


Ndërkohë, neni 26 kërkon transparencë mbi mënyrën se si tregtarët sigurohen që komentet e publikuara vijnë nga konsumatorë që e kanë blerë ose përdorur realisht produktin. Këto dispozita synojnë të adresojnë rastet kur vlerësimet apo renditja e produkteve mund të krijojnë një perceptim të gabuar te konsumatori dhe të ndikojnë në vendimet e tij për blerje.


Kufizohen praktikat manipuluese në shërbimet financiare online

Projektligji përmban dispozita të veçanta për mbrojtjen e konsumatorëve që lidhin kontrata për shërbime financiare në distancë. Neni 89 ndalon projektimin e ndërfaqeve online në mënyra që manipulojnë vendimmarrjen e klientëve.


Ndër praktikat e ndaluara përfshihen paraqitja e disa zgjedhjeve me dukshmëri të pabarabartë, mesazhet e përsëritura që ndërpresin përdorimin e platformës dhe procedurat që e bëjnë ndërprerjen e shërbimit më të vështirë sesa abonimin.


Ndryshimet e propozuara synojnë të forcojnë mbrojtjen e konsumatorëve në tregtinë elektronike, duke vendosur detyrime më të qarta për bizneset lidhur me kthimin e produkteve, informacionin mbi ofertat dhe besueshmërinë e vlerësimeve online. Rregullat e reja do të bëhen të zbatueshme pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit, sipas afateve që ai do të përcaktojë.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat