Rikthehet transporti publik në Tiranë, por shërbimi do të vijojë sipas situatës
Transporti publik në Tiranë rifillon shërbimin pas ndërprerjes së një dite më parë, por mund të pezullohet sërish.
Transporti publik në Tiranë është rikthyer në funksion këtë të premte, pas ndërprerjes së shërbimit një ditë më parë për shkak të protestave që shkaktuan bllokime të rrugëve dhe vështirësi në qarkullimin e autobusëve.
Burime nga sektori i transportit publik i kanë konfirmuar Ekofin.al se flotat e autobusëve janë aktualisht në qarkullim dhe po ofrojnë shërbimin për qytetarët. Sipas tyre, transporti urban do të vijojë të funksionojë deri në një njoftim të dytë.
Shërbimi mund të ndërpritet sërish në rast të bllokimit të rrugëve
Megjithatë, funksionimi i transportit publik mbetet i kushtëzuar nga zhvillimet e protestave dhe situata në rrugët e kryeqytetit.
Sipas burimeve për Ekofin.al, në rast se protestat do të shkaktojnë bllokime që pengojnë qarkullimin dhe funksionimin normal të transportit urban, flotat e autobusëve do të tërhiqen sërish nga shërbimi.
Për momentin, autobusët vijojnë të qarkullojnë dhe të transportojnë qytetarët, ndërsa vazhdimësia e shërbimit do të varet nga kushtet në terren dhe mundësia për të garantuar lëvizjen normale dhe të sigurt të mjeteve.
Rikthimi i transportit publik vjen pas pezullimit të përkohshëm të një dite më parë, kur protestat dhe bllokimet e akseve kryesore penguan funksionimin e linjave urbane në Tiranë.