Secondary Adv

Blerjet e valutës, vlera e bilancit të BSH arriti rekord të ri në shtator

Blerjet e valutës në shuma të mëdha po zgjerojnë më tej bilancin e Bankës së Shqipërisë në rekorde të reja historike.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i aktiveve arriti vlerën e pothuajse 926 miliardë lekëve, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë.


Vlera e aktiveve në bilanc u zgjerua me 1.2% krahasuar me gushtin dhe me 9.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Duke analizuar rritjen e bilancit sipas zërave kryesorë, efektin kryesor në zgjerimin vjetor të aktiveve e kanë dhënë letrat me vlerë të jorezidentëve.


Vlera e këtij portofoli arriti në afërsisht 633 miliardë lekë, në rritje me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Rritja e këtij zëri në mënyrë të tërthortë tregon se zgjerimi i bilancit është i lidhur në një masë të madhe me rritjen e vlerës së rezervës valutore që administrohet nga Banka e Shqipërisë.


Sipas të dhënave më të fundit, të muajit shtator, rezerva valutore arriti vlerën më të lartë historike, në 8.4 miliardë euro, 16% më shumë krahasuar me një vit më parë.


Banka Qendrore prej më shumë se një dekade po ndjek një politikë të shtimit e rezervave valutore, në funksion të nevojave të mundshme të ekonomisë dhe sektorit financiar. Rezerva është rritur me blerje të vazhdueshme dhe në rritje të valutës në tregun e brendshëm, nëpërmjet ankandeve të planifikuara.


Por, në tre vitet e fundit rolin kryesor në këtë drejtim e kanë dhënë blerjet e drejtpërdrejta të valutës, në funksion të frenimit të mbiçmimit të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit. Rritja e blerjeve të valutës nënkupton injektime të reja në gjendjen e rezervës valutore dhe paralelisht shtim të injektimit të Lekut në ekonomi.


Në periudhën 2024-2025 Banka e Shqipërisë më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor. Ndërkohë, vetëm për gjysmën e parë të këtij viti blerjet e valutës nga Banka Qendrore arritën një rekord të ri për periudhën, prej 664 milionë eurosh.


Presionet e tregut valutor mbi Euron këtë vit janë forcuar ndjeshëm. Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, rënia vjetore e kursit Euro-Lek është shpejtuar në 5.6%. të enjten, kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi një rekord të ri historik, në nivelin e 91.28 lekëve.


Blerjet e valutës po i japin politikës monetare tipare stimuluese, duke rritur injektimin e parasë në ekonomi, ndërkohë që inflacioni ka kaluar objektivin ligjor prej 3%.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat