Secondary Adv

Rikthehet në KPP tenderi 2.1 mln euro i Thesarit, tjetër operator kundërshton vlerësimin

Tenderi mbi 2.1 milionë euro, për mirëmbajtjen e sistemit të Thesarit është rikthyer në Komisionin e Prokurimit Publik.

Tenderi me fond limit 207.7 milionë lekë pa TVSH, ose mbi 2.1 milionë euro, për mirëmbajtjen e sistemit të Thesarit dhe blerjen e licencave Oracle për Ministrinë e Financave është rikthyer në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), pas një ankese të re kundër vlerësimit të procedurës nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).


Ankesa është paraqitur nga operatori ekonomik “Infosoft Systems” dhe vjen pas një procesi të gjatë kundërshtimesh për këtë tender, të publikuar më 22 tetor 2025, i cili është shoqëruar me disa vendime të KPP-së për ndryshimin e dokumenteve dhe kushtet e zhvillimit të procedurës.


Në fund të gushtit, KPP rrëzoi ankesën e operatorit “Data Log”, duke i hapur rrugë AKSHI-t të vijonte me hapat e mëtejshëm të tenderit. Me vendimin nr. 1066/2026, të datës 27 gusht, Komisioni arriti në përfundimin se autoriteti kontraktor kishte reflektuar ndryshimet e kërkuara më herët në dokumentet e tenderit dhe kishte adresuar paqartësitë e ngritura gjatë shqyrtimit të ankesave.


Procedura ishte kundërshtuar që në tetor 2025, kur “Data Log” paraqiti ankesën e parë për dokumentet e tenderit. Në shkurt 2026, KPP e pranoi pjesërisht atë dhe urdhëroi AKSHI-n të ndryshonte dokumentet. Pas publikimit të ndryshimeve në mars, Komisioni konstatoi se vendimi nuk ishte zbatuar plotësisht dhe bllokoi vijimin e procedurës më 30 mars.


Në maj, KPP vendosi sërish të mos lejonte vijimin e tenderit pa modifikime të mëtejshme. Pas shqyrtimit të kundërshtimeve të tjera, AKSHI publikoi më 18 qershor një shtojcë me ndryshimet dhe sqarimet e kërkuara në dokumentet e procedurës.


Gjatë korrikut, një pjesë e pretendimeve u pranuan nga struktura e shqyrtimit të ankesave pranë AKSHI-t. Ato përfshinin korrigjimin e një reference në dokumentet e tenderit, heqjen e kriterit për CSP dhe Oficerin e Sigurimit Industrial, si dhe sqarime teknike.


Në vendimin e 27 gushtit, KPP vlerësoi se AKSHI kishte reflektuar vendimet e mëparshme dhe rrëzoi ankesën e “Data Log”. Me ankimin e ri ndaj vlerësimit të procedurës, tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të Thesarit dhe licencat Oracle është sërish në shqyrtim nga Komisioni.



Burimi: Monitor


Më të lexuarat