Secondary Adv

Qeveria ndryshon pas një dekade rregullat e regjistrit të koncesioneve dhe PPP

Regjistri i koncesioneve dhe PPP-ve do të përmbajë 19 kategori të dhënash, nga 9 që parashikoheshin më parë.

Qeveria ka miratuar rregulla të reja për funksionimin e Regjistrit Elektronik të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike-Private (PPP), duke zgjeruar informacionin që duhet të regjistrohet për projektet koncesionare dhe duke përcaktuar afate për verifikimin dhe publikimin e dokumentacionit.


Vendimi i ri rrit nga 9 në 19 kategoritë e të dhënave parësore që duhet të përmbajë regjistri, me synimin për të ofruar informacion më të plotë mbi procedurat e dhënies së koncesioneve, kushtet financiare, dokumentacionin e projekteve dhe zbatimin e kontratave.


Ndryshimet vijnë një dekadë pas miratimit të kuadrit të mëparshëm, duke zëvendësuar vendimin e datës 16 mars 2016, mbi bazën e të cilit u krijua regjistri ekzistues.


Ndryshe nga rregullat e vitit 2016, të cilat përqendroheshin kryesisht te informacioni bazë i kontratave, kuadri i ri parashikon përfshirjen e dokumenteve që lidhen me përgatitjen, vlerësimin, miratimin dhe monitorimin e projekteve koncesionare.


Nga studimet e fizibilitetit te raportet e zbatimit, çfarë ndryshon në regjistrin e PPP-ve?

Sipas vendimit të vitit 2016, Regjistri Elektronik i Koncesioneve dhe PPP-ve përfshinte të dhëna mbi autoritetin kontraktues, objektin e kontratës, llojin dhe kohëzgjatjen e saj, vlerën financiare, çmimin e shërbimit publik, tarifën koncesionare dhe tekstin e kontratës.


Me rregullat e reja të vitit 2026, dokumentacioni që duhet të regjistrohet zgjerohet ndjeshëm. Në sistem do të përfshihen shprehimisht studimet e fizibilitetit, dokumentacioni i tenderit, garancitë e ekzekutimit, të dhënat për nënkontraktimet dhe transferimet e kontratave, si dhe dokumentacioni mbi të drejtat pronësore që lidhen me zbatimin e projekteve.


Regjistri do të përmbajë gjithashtu raportet vjetore dhe përfundimtare të zbatimit të kontratave, si dhe dokumentacionin që lidhet me ndryshimet e tyre gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjeve koncesionare.


Kjo do të thotë se informacioni i regjistruar nuk do të kufizohet vetëm te kushtet e kontratës së nënshkruar, por do të përfshijë edhe dokumentet mbi të cilat është mbështetur miratimi i projektit, si dhe raportimin për ecurinë dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.


Një tjetër ndryshim lidhet me treguesit financiarë. Vendimi i ri parashikon regjistrimin e vlerës së investimit veçmas nga vlera e kontratës, duke mundësuar dallimin mes shumës së parashikuar për investim dhe vlerës së përgjithshme të marrëveshjes koncesionare.


Megjithatë, publikimi i dokumentacionit do t'u nënshtrohet kufizimeve ligjore. Kontratat dhe studimet e fizibilitetit do të bëhen publike vetëm për pjesët që lejohen nga legjislacioni, ndërsa informacionet e klasifikuara si konfidenciale ose të kufizuara me ligj nuk do të publikohen.


Institucionet kanë 30 ditë pune për plotësimin e të dhënave që mungojnë

Ndryshimet prekin edhe mënyrën e administrimit të kontratave ekzistuese dhe përgjegjësitë e institucioneve që dorëzojnë informacionin në regjistër.


Sipas rregullave të vitit 2016, autoritetet kontraktuese kishin detyrimin të dorëzonin brenda 30 ditëve kopje të të gjitha kontratave të lidhura përpara hyrjes në fuqi të vendimit.


Kuadri i ri parashikon transferimin dhe integrimin e të dhënave ekzistuese në regjistrin e përditësuar, pa kërkuar ridorëzimin e dokumentacionit që institucionet përgjegjëse e disponojnë tashmë.


Në rastet kur gjatë procesit të verifikimit konstatohen mungesa ose nevoja për përditësim të informacionit, autoritetet kontraktuese do të kenë një afat prej 30 ditësh pune nga marrja e kërkesës për plotësimin e dokumentacionit.


Vendimi përcakton shprehimisht se përgjegjësia për saktësinë, plotësinë dhe përditësimin në kohë të të dhënave u takon autoriteteve kontraktuese. Këto institucione duhet të garantojnë që informacioni i dorëzuar për regjistrim të jetë i saktë dhe i përditësuar.


AKSHI merr përgjegjësinë për zhvillimin dhe sigurinë teknike të regjistrit

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me ndarjen e përgjegjësive institucionale për funksionimin dhe administrimin e Regjistrit Elektronik të Koncesioneve dhe PPP-ve.


Sipas vendimit të vitit 2016, kostot për krijimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e regjistrit përballoheshin nga buxheti i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve dhe PPP-ve (ATRAKO).


Me vendimin e ri, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) merr përgjegjësinë për zhvillimin e sistemit elektronik, mirëmbajtjen teknike dhe garantimin e sigurisë së tij.


Ndërkohë, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe PPP-ve vijon të mbetet institucioni përgjegjës për administrimin funksional të regjistrit.


Kuadri i ri synon të zgjerojë informacionin e disponueshëm për projektet koncesionare, duke përfshirë dokumentacionin që nga faza e përgatitjes dhe miratimit deri te monitorimi i zbatimit të kontratave. Publikimi i këtyre të dhënave do të kryhet në përputhje me kufizimet dhe kërkesat e legjislacionit në fuqi.


Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat