Secondary Adv

10 vite koncesioni i Check-up, 902 milionë lekë pagesa për kontrolle të pakryera

KLSH zbulon 489 mijë kontrolle të pakryera të paguara nga shteti dhe 1.34 miliardë lekë kosto shtesë nga TVSH-ja.

Koncesioni i kontrollit mjekësor bazë, i njohur si Check-up, ka përfituar rreth 902 milionë lekë pagesa për 489,132 kontrolle të pakryera gjatë periudhës 2015–2025, ndërsa aplikimi i TVSH-së mbi shërbimin ka krijuar një tjetër kosto buxhetore prej 1.34 miliardë lekësh. Këto janë dy nga gjetjet kryesore të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili ka evidentuar probleme në financimin, monitorimin dhe përmbushjen e detyrimeve të kontratës koncesionare.


Sipas raportit të auditimit mbi zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2025, pagesat totale ndaj koncesionarit deri më 31 dhjetor 2025 kanë arritur në 8.05 miliardë lekë me TVSH. Nga 4,366,140 kontrolle të financuara gjatë kësaj periudhe, janë realizuar 3,877,008, ndërsa 489,132 kontrolle janë paguar pa u kryer.


Kontrata koncesionare parashikonte një volum prej 475 mijë kontrollesh në vit, nivel që, sipas KLSH-së, është arritur dhe tejkaluar vetëm në vitin 2019. Megjithatë, pagesat janë kryer duke u mbështetur te volumi minimal i garantuar, pavarësisht numrit të kontrolleve të realizuara faktikisht.


Vetëm gjatë vitit 2025, shteti ka paguar 35.32 milionë lekë për 19,147 kontrolle të pakryera. KLSH vlerëson se mekanizmi financiar i kontratës nuk ka siguruar një shpërndarje të balancuar të rrezikut ndërmjet palëve, pasi pasojat financiare të mosrealizimit të kontrolleve të parashikuara janë përballuar nga shteti.


TVSH-ja, 1.34 miliardë lekë kosto shtesë për buxhetin


Një tjetër problematikë e evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhet me trajtimin fiskal të koncesionit të Check-up-it. Sipas raportit, shërbimi i kontrollit mjekësor bazë është faturuar me TVSH, megjithëse duhej të trajtohej si furnizim i përjashtuar nga ky tatim.


Për periudhën 2015–2025, kjo mënyrë faturimi ka sjellë një kosto shtesë për buxhetin e shtetit prej 1.34 miliardë lekësh. Vetëm gjatë vitit 2025, efekti financiar i TVSH-së ka arritur në rreth 146 milionë lekë.


Nuk janë ngritur 20 laboratorët e parashikuar në kontratë


Përveç kostove financiare, KLSH ka identifikuar mangësi edhe në realizimin e investimeve të parashikuara nga koncesionari. Sipas raportit, nuk rezulton të jetë përmbushur detyrimi për ngritjen dhe funksionimin e 20 laboratorëve në të gjithë territorin e vendit, të cilët ishin pjesë e modelit të shërbimit mbi të cilin ishte bazuar oferta fituese.


Auditimi evidenton se mosrealizimi i këtij investimi dhe reduktimi i kostove operacionale nuk janë reflektuar në uljen e çmimit të shërbimit, duke bërë që pagesat të vijojnë sipas kushteve financiare të kontratës.


Ndërkohë, në dokumentet kontraktuale janë konstatuar edhe mospërputhje për vlerën e investimit fillestar. Në disa anekse, kjo vlerë paraqitet në rreth 476.9 milionë lekë, ndërsa në një aneks tjetër rezulton 172 milionë lekë.


Mbi 491 mijë kontrolle të paguara pa përgjigje të regjistruara në sistem


Një tjetër gjetje e rëndësishme e auditimit lidhet me dokumentimin elektronik të kontrolleve mjekësore. KLSH ka konstatuar 491,621 raste kontrollesh të kryera dhe të paguara, për të cilat nuk rezultojnë të regjistruara në sistemin elektronik përgjigjet e plotësuara nga mjekët.


Këto raste përbëjnë një problematikë të ndryshme nga 489,132 kontrollet e pakryera, për të cilat shteti ka paguar rreth 902 milionë lekë. Në rastin e parë bëhet fjalë për kontrolle të realizuara dhe të paguara, por me mangësi në regjistrimin elektronik të përgjigjeve, ndërsa në rastin e dytë për kontrolle të financuara që nuk janë kryer.


Ministria e Shëndetësisë pa monitorime gjatë viteve 2015–2022


Mungesa e kontrollit institucional është një tjetër problem i evidentuar në raportin e KLSH-së. Sipas auditimit, Ministria e Shëndetësisë nuk ka kryer monitorime të zbatimit të kontratës koncesionare gjatë periudhës 2015–2022, ndërsa monitorimet e realizuara në vitet pasuese kanë pasur mangësi.


Raporti evidenton gjithashtu se Bordi i Administrimit të Projektit është ngritur për herë të parë vetëm në vitin 2022, megjithëse koncesioni kishte nisur zbatimin që në vitin 2015.


Në prag të përfundimit të kontratës, auditimi ka konstatuar edhe mungesën e një plani të hartuar dhe të miratuar për daljen nga koncesioni, pavarësisht se ky detyrim ishte parashikuar në marrëveshje.


Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerrin në pah problematika në administrimin e koncesionit të Check-up-it gjatë periudhës 2015–2025, që lidhen me pagesat për kontrolle të pakryera, trajtimin e TVSH-së, realizimin e investimeve të kontraktuara dhe monitorimin institucional të shërbimit.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat