TVSH 6 për qind për ushqimet, paqartësi dhe vështirësi për supermarketet
Qeveria synon të përfshijë rreth 10 mijë produkte ushqimore në skemën e TVSH-së 6 për qind, por identifikimi dhe klasifikimi i tyre po krijon vështirësi për tregtarët.

Qeveria ka nisur diskutimet me grupet e interesit për hartimin e listës së produkteve ushqimore që do të përfitojnë nga shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) prej 6%. Megjithatë, identifikimi dhe klasifikimi i mijëra artikujve që tregtohen në supermarkete po krijon paqartësi dhe vështirësi për operatorët e sektorit.
Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e rrjeteve të supermarketeve për të diskutuar përcaktimin e produkteve që do të përfshihen në skemën e re, e cila propozohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Sipas projektligjit të paketës fiskale, shkalla e reduktuar e TVSH-së prej 6% parashikohet të zbatohet për produktet ushqimore bazë, përfshirë bukën dhe miellin, qumështin dhe kosin natyral, vezët, orizin, makaronat, vajin ushqimor, mishin e pulës, viçit dhe derrit, peshkun bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqerin dhe ushqimet bazë për foshnjat.
Lista e detajuar e produkteve, së bashku me kodet përkatëse të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Shkalla e reduktuar e TVSH-së parashikohet të zbatohet njësoj si për produktet e tregtuara brenda vendit, ashtu edhe për ato të importuara.
Rreth 10 mijë produkte për t'u klasifikuar, supermarketet ngrenë shqetësime
Objektivi i qeverisë është krijimi i një katalogu të unifikuar me rreth 10 mijë produkte ushqimore që do të përfitojnë nga TVSH-ja e reduktuar. Për këtë qëllim, produktet synohet të identifikohen përmes barkodeve dhe të klasifikohen në sistemet e supermarketeve, duke mundësuar një zbatim të njëtrajtshëm të skemës.
Procesi parashikon gjithashtu koordinimin e të dhënave ndërmjet supermarketeve dhe institucioneve shtetërore, me qëllim shmangien e paqartësive për artikujt që do të përfitojnë nga ulja e tatimit.
Megjithatë, drejtuesit e supermarketeve e konsiderojnë këtë një proces të vështirë, për shkak të numrit të madh të artikujve dhe kodeve të ndryshme që qarkullojnë në treg. Sipas përfaqësuesve të sektorit, një supermarket mund të ketë deri në 50 mijë kode për produkte ushqimore.
Vetëm për një markë të caktuar mielli mund të ekzistojnë deri në 12 kode të ndryshme, ndërsa situata të ngjashme paraqiten edhe për produkte të tjera, si orizi dhe makaronat. Kjo e bën më të ndërlikuar identifikimin dhe klasifikimin e artikujve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së 6%.
Paqartësi për mishin e pulës, bulmetin dhe produktet e përpunuara
Një nga shqetësimet kryesore të tregtarëve lidhet me përcaktimin e saktë të produkteve që do të përfitojnë nga shkalla e reduktuar e TVSH-së.
Sipas përfaqësuesve të supermarketeve, gjatë diskutimeve është kërkuar që mishi i freskët i pulës të tregtohet me TVSH 6%, ndërsa filetoja e pulës të mos përfshihet në këtë kategori. Paqartësi ka edhe për produktet e bulmetit, si kosi me fruta, djathi i dhisë dhe kaçkavalli.
Drejtuesit e sektorit theksojnë se, pa një listë të qartë dhe të detajuar të artikujve, bizneset mund të përballen me vështirësi në përcaktimin e shkallës së saktë të TVSH-së për secilin produkt.
Një tjetër problematikë lidhet me koordinimin e sistemeve të shkëmbimit të të dhënave ndërmjet supermarketeve dhe institucioneve shtetërore.
Përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se mungesa e një sistemi të unifikuar raportimi mund të krijojë konfuzion dhe ngarkesë administrative gjatë zbatimit të skemës së re.
Ekspertët: Ulja e TVSH-së nuk garanton ulje të njëjtë të çmimeve
Ndryshimet e propozuara në paketën fiskale parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027. Megjithatë, kontabilistë dhe ekspertë të fushës kanë ngritur shqetësimin se ulja e TVSH-së për ushqimet bazë nuk do të reflektohet domosdoshmërisht në të njëjtën masë në çmimet përfundimtare të konsumatorëve.
Ndërkohë, produkte të tjera, si detergjentët dhe shampot, mund të shtrenjtohen si pasojë e rritjes së propozuar të shkallës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka argumentuar se ulja e TVSH-së për ushqimet bazë në 6% mund të ndihmojë familjet, por përfitimi real do të varet nga mënyra se si kjo ulje do të reflektohet në çmimet e shitjes.
Sipas përllogaritjeve të APL-së, nëse çmimi neto i produktit mbetet i pandryshuar, rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% do ta rriste çmimin përfundimtar me rreth 0.83%. Nga ana tjetër, ulja e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 6% mund të sillte një reduktim të çmimit deri në 11.7%, nëse përfitimi do të përcillej plotësisht te konsumatori.
Përfaqësuesit e sektorit të tregtisë kërkojnë qartësi në klasifikimin e produkteve dhe në mënyrën e raportimit, përpara hyrjes së mundshme në fuqi të ndryshimeve. Lista përfundimtare e artikujve që do të përfitojnë nga TVSH-ja 6% mbetet ende për t'u përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)