Ulja e pragut të TVSH: Nga 1 janari fermerët do të humbasin kompensimin 10 për qind
Kontabilistët paralajmërojnë se ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë nga janari 2027 do të përjashtojë fermerë nga kompensimi.

Propozimi i paketës fiskale për përgjysmimin e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH, nga 10 milionë në 5 milionë lekë, pritet të ndikojë edhe te fermerët, duke i përjashtuar një pjesë të tyre nga skema e kompensimit të TVSH-së prej 10 për qind.
Paralajmërimi është bërë nga kontabilistët e Aleancës së Profesionistëve të Lirë dhe të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM), gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për projektligjet e paketës fiskale.
Konsulenti fiskal Artur Papajani shpjegoi për “Monitor” se ndikimi i uljes së pragut lidhet drejtpërdrejt me kushtet e përcaktuara në udhëzimin e ministrit të Financave nr. 19, datë 3.11.2014, “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar për herë të fundit me udhëzimin nr. 4, datë 30.1.2026.
Sipas nenit 4, pika 1, të këtij udhëzimi, fermeri përfiton të drejtën e kompensimit për sa kohë që qarkullimi i tij vjetor nuk tejkalon kufirin minimal të përcaktuar për regjistrimin në TVSH. Qarkullimi llogaritet mbi vlerën totale të furnizimeve të shënuara në faturë për produktet bujqësore të shitura te personat e tatueshëm, të regjistruar në TVSH, që ushtrojnë aktivitet si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar.
Për rrjedhojë, nëse pragu ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë, fermerët me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë, por nën kufirin aktual prej 10 milionë lekësh, nuk do të plotësojnë më kushtin për të përfituar nga skema e kompensimit prej 10 për qind.
Udhëzimi përcakton gjithashtu se përfitues të skemës janë fermerët që furnizojnë mallra të prodhuara nga veprimtaria e tyre bujqësore dhe janë pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga administrata tatimore. Pajisja me NIPT bëhet pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim, por nuk garanton përfitimin e kompensimit nëse tejkalohet kufiri i përcaktuar i qarkullimit vjetor.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga viti 2018 deri në shtator 2025, gjithsej 110 mijë fermerë janë pajisur me NIPT tatimor.
Kontabilistët paralajmërojnë rritje të kostove dhe informalitetit
Konsulenti fiskal Artur Papajani vlerëson se lidhja e përfitimit të kompensimit me kufirin e regjistrimit në TVSH rrezikon të cenojë skemën e mbështetjes së fermerëve.
“Prodhuesit bujqësorë përfitojnë të drejtën e kompensimit kur qarkullimi vjetor i tyre nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Ai shpjegon se skema u mundëson fermerëve të marrin një kompensim prej 10 për qind, me synimin për t'u kthyer pjesërisht TVSH-në e paguar për mallrat dhe shërbimet e përdorura në aktivitetin prodhues.
“Përgjysmimi i paneglizhueshëm i pragut të regjistrimit në TVSH, nga 10 milion lekë në 5 milionë lekë, nga janari i vitit të ardhshëm do të privojë nga e drejta e kompensimit, një grup të madh të fermerëve që tejkalojnë me shitjet e tyre, vlerën e pragut të ri 5 milionësh”, thotë ai.
Shqetësimi është ngritur edhe nga kryetari i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Sotiraq Dhamo, gjatë dëgjesës parlamentare.
“Një pjesë e fermerëve që do të përfshihen në këtë skemë nuk do të përfitojnë më nga kompensimi i TVSH-së, pasi do të kalojnë në skemën normale. Shumë prej blerjeve të tyre mund të zbriten, por ata nuk mund të zbresin TVSH-në për pagesat e shërbimeve të traktorëve dhe punimin e tokës. Kjo do t’i rëndojë fermerët.
Imagjinoni një fermer që realizon një xhiro prej 5 apo 6 milionë lekësh dhe që duhet të mbajë një sistem kontabiliteti për t’u përballur me kostot administrative të skemës së TVSH-së”, pohoi Dhamo.
Përveç humbjes së kompensimit, kontabilistët paralajmërojnë se ulja e pragut mund të nxisë informalitetin në sektorin bujqësor.
“Çdo fermë apo çdo fermer që do të synojë të përmirësojë infrastrukturën e kapacitetet e tij prodhuese, që do të rrisë vlerën në treg të produkteve të tij (vendase), do të ketë një kufizim të përfitimit të kompensimit.
Gjithashtu fermeri do të ketë një kufizim edhe të interesit për t’u formalizuar. Shumë ferma për të ruajtur pragun e ulët, do të synojnë të zhvendosen në territorin e informalitetit. Dhe hapi i parë do të jetë mosfaturimi/mospranimi i faturës nga blerësit formalë të regjistruar për TVSH.
Nga ulja e pastudiuar e pragut të TVSH-së, dëmi në ekonomi pritet të jetë kolateral. Dhe këtë oksigjen informalitetit, nuk ia japin as evazorët, as shitësit e as blerësit, por vendimet e nxituara apo të pamenduara”, thotë Artur Papajani.
Kontabilistët paralajmërojnë se përgjysmimi i pragut të regjistrimit në TVSH do të rrisë kostot administrative edhe për bizneset e tjera të vogla. Ata i referohen edhe vendimmarrjes së vitit 2018, kur pragu u ul në 2 milionë lekë, pa sjellë, sipas tyre, rezultate në reduktimin e informalitetit te biznesi i vogël.
Si funksionon skema e kompensimit të TVSH-së prej 10 për qind?
Nga 1 janari 2026, sipas ndryshimeve në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, kompensimi prej 10 për qind për fermerët llogaritet mbi vlerën e faturave të lëshuara nga blerësit e produkteve të tyre bujqësore.
Për fermerët e pajisur me NIPT tatimor, të cilët nuk janë subjekte të regjistruara në QKB, fatura e shitjes ose autofatura lëshohet nga blerësit e mallrave bujqësore. Autofatura e lëshuar nga përpunuesi, grumbulluesi apo një agroturizëm i certifikuar shërben si bazë për llogaritjen e kompensimit, i cili përfaqëson 10 për qind të vlerës së saj.
Skema synon të mbulojë pjesërisht TVSH-në që fermerët kanë paguar për inputet bujqësore, si plehra kimike, fara dhe fidanë. Për shembull, nëse një fermer i pajisur me NIPT shet produkte bujqësore me vlerë 1,000 euro dhe grumbulluesi apo përpunuesi lëshon autofaturën përkatëse, fermeri përfiton një kompensim prej 100 eurosh.
Kompensimi nuk llogaritet drejtpërdrejt mbi blerjet e fermerit, por mbi vlerën e autofaturave të lëshuara për produktet bujqësore që ai shet. Përfitues janë fermerët që nuk janë subjekte të regjistruara në TVSH dhe që nuk ngarkojnë TVSH në shitjen e produkteve të tyre, por që njëkohësisht nuk kanë të drejtë të zbresin apo të rimbursojnë TVSH-në e paguar për blerjet.
Kërkesa për kompensim bëhet dy herë në vit, për periudhat janar–qershor dhe korrik–dhjetor. Aplikimet nisën më 1 korrik 2026 dhe kryhen përmes sistemit e-Filing nga fermerët e pajisur me NIPT.
Sipas të dhënave të administratës tatimore, deri në fund të tetorit 2026 kishin aplikuar online për kompensimin e TVSH-së përmes autofaturës 5,995 fermerë. Nga këto aplikime, 5,148 ishin miratuar, ndërsa 469 të tjera vijonin të ishin në proces shqyrtimi. Vlera e kërkesave për kompensim arrinte në rreth 13.3 milionë euro.
Çfarë parashikon udhëzimi për përfitimin e kompensimit?
Udhëzimi nr. 19, datë 3.11.2014, “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar”, është ndryshuar me udhëzimet nr. 23, datë 7.9.2015; nr. 26, datë 26.10.2015; nr. 10, datë 3.5.2016; nr. 3, datë 21.2.2019 dhe nr. 4, datë 30.1.2026.
Neni 4 përcakton se fermeri përfiton të drejtën e kompensimit për sa kohë që qarkullimi i tij vjetor nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në. Përfitimi lidhet me shitjet e produkteve bujqësore të prodhuara nga vetë fermeri te grumbulluesit, përpunuesit apo subjektet e certifikuara të agroturizmit, të regjistruara për TVSH-në.
Neni 5 rregullon pajisjen e fermerëve me NIPT. Aplikimi kryhet nga vetë fermeri pranë Drejtorisë së Regjistrimit dhe Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse. Për regjistrimin kërkohen formulari i aplikimit, dokumenti i identifikimit dhe vërtetimi i aktivitetit prodhues bujqësor, i lëshuar nga drejtoria rajonale e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Dokumentacioni duhet të dorëzohet në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin, në gjuhën shqipe dhe në formë të lexueshme. Regjistrimi përfshin të dhënat e identifikimit dhe kontaktit të fermerit, vendin e ushtrimit të veprimtarisë dhe fushën ose fushat e prodhimit bujqësor. Për të njëjtin vend të ushtrimit të aktivitetit prodhues bujqësor, me NIPT pajiset vetëm një fermer që e ka në pronësi ose në përdorim dhe ushtron veprimtarinë në atë vend.
Në kushtet kur e drejta e kompensimit lidhet drejtpërdrejt me pragun e regjistrimit në TVSH, ulja e propozuar e këtij kufiri në 5 milionë lekë pritet të ndryshojë kategorinë e fermerëve që mund të përfitojnë nga skema duke nisur nga janari 2027.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)