Secondary Adv

Nga 2027 autobusët ndërqytetas me biletë elektronike dhe integrim në Google Maps për turistët

DPSHTRR synon të nisë në vitin 2027 biletimin elektronik në transportin ndërqytetas dhe integrimin e informacionit për lëvizjen e autobusëve në Google Maps.

Institucioni prezantoi edhe shërbime të reja dixhitale për drejtuesit e mjeteve dhe autoshkollat.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) po përgatit një sistem GPS për transportin ndërqytetas, me synim monitorimin dhe analizimin e flukseve të lëvizjes së autobusëve të transportit publik.


Gjatë prezantimit të shërbimeve të dixhitalizuara dhe risive që pritet të sjellë institucioni, në aktivitetin “Transformimi dixhital i shërbimeve të transportit rrugor”, drejtori i Përgjithshëm, Kreshnik Bajraktari, njoftoi se nga viti 2027 synohet integrimi i këtij sistemi me Google Maps, në mënyrë që edhe turistët të kenë akses në informacionin mbi lëvizjen e transportit ndërqytetas.


Për këtë qëllim është ngritur një grup pune, me mbështetjen e GIZ, për të përmbledhur të dhënat në një server të dedikuar, ku do të përfshihen informacionet për licencat dhe lëvizjen e mjeteve.


Një tjetër zhvillim është futja e biletës elektronike në transportin ndërqytetas. Sipas Bajraktarit, brenda dy javësh pritet të nënshkruhet kontrata mes DPSHTRR-së dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për këtë projekt, ndërsa zbatimi parashikohet të nisë në vitin 2027.


Testimi teorik për lejet e drejtimit në tri gjuhë të huaja

Prej muajit tetor, testimi teorik për lejet e drejtimit mund të zhvillohet në anglisht, gjermanisht dhe italisht për katër kategori mjetesh.

Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Kreshnik Bajraktari, bëri të ditur se kjo mundësi është e vlefshme për kategoritë A1, A2, B1 dhe B, duke u dhënë kandidatëve mundësinë të zgjedhin njërën nga tri gjuhët e huaja për zhvillimin e provimit teorik.


Një tjetër ndryshim lidhet me kualifikimin e drejtuesve të taksive. Sipas Bajraktarit, deri më tani kandidatët, pas aplikimit, i nënshtroheshin vetëm testimit teorik. Me programin e ri, që ka nisur të zbatohet prej tetorit, ata duhet të kryejnë fillimisht një trajnim 12-orësh dhe më pas të hyjnë në provimin teorik.


Kandidatët duhet të aplikojnë dhe të kryejnë pagesën përkatëse. Nga muaji dhjetor, trajnimi pritet të ofrohet edhe online, duke shmangur nevojën për paraqitje fizike gjatë kësaj procedure.


Autoshkollat dhe raporti mjekësor drejt dixhitalizimit

DPSHTRR po teston gjithashtu një modul online për autoshkollat, i cili synon dixhitalizimin e dosjeve të kandidatëve, reduktimin e kostove dhe shkurtimin e kohës së nevojshme për kryerjen e procedurave.


Sipas Kreshnik Bajraktarit, për këtë projekt është zhvilluar një prezantim paraprak me grupet e interesit, për të marrë në konsideratë sugjerimet e tyre përpara zbatimit. Prezantimi i modulit online për autoshkollat dhe raportin mjekësor pritet të bëhet gjatë festave të fundvitit.


Paralelisht, institucioni po punon për dixhitalizimin e raportit mjekësor dhe hartimin e manualit teknik për shkëmbimin online të informacionit.

Me funksionalizimin e sistemit, kandidatët nuk do të kenë më nevojë ta dorëzojnë fizikisht raportin mjekësor, pasi dokumenti dhe informacioni përkatës do të shkëmbehen përmes modulit dixhital.


13,410 pagesa online të taksave të mjeteve

Drejtori i Përgjithshëm, Kreshnik Bajraktari, bëri të ditur se një prej shërbimeve të reja është pagesa online e taksave vjetore të mjeteve, e mundësuar që prej 1 janarit 2026.


Deri më tani janë kryer 13,410 pagesa përmes këtij kanali, ose 2.2 për qind e totalit të pagesave për periudhën e raportuar. Synimi është që në të ardhmen pagesat të realizohen 100 për qind online.


Sipas DPSHTRR-së, pagesa dixhitale shmang kohën e pritjes dhe nevojën për përdorimin e parave cash, veçanërisht për bizneset që kanë në administrim një numër të madh automjetesh.


16.4 milionë lekë të arkëtuara nga gjobat përmes sistemit dixhital

Dixhitalizimi ka përfshirë edhe administrimin e gjobave të vendosura nga Task-Forca gjatë kontrolleve në terren. Përmes një moduli të posaçëm, gjobat regjistrohen në sistem dhe lidhen me platformën dixhitale të shërbimeve të DPSHTRR-së.


Në këtë mënyrë, përpara marrjes së një shërbimi, verifikohen detyrimet e papaguara dhe kërkohet shlyerja e tyre.


Sipas të dhënave të institucionit, që prej aktivizimit të modulit në vitin 2026 janë regjistruar 2,561 gjoba, nga të cilat janë arkëtuar 1,334, me një vlerë totale prej 16.4 milionë lekësh.


Sistemi synon të rrisë efektivitetin e mbledhjes së gjobave të konstatuara në terren, të cilat më parë nuk kishin një mekanizëm të integruar për të garantuar arkëtimin e tyre.


Mbi 20 mijë aplikime përmes CRM dhe 60 mijë vizitorë te asistenti virtual

Një tjetër shërbim që po përdoret nga qytetarët është sistemi CRM, përmes të cilit janë regjistruar 20,888 aplikime për kërkesa të ndryshme.

Aplikimet përfshijnë ndryshimet konstruktive të automjeteve, ndryshimin e ngjyrës, instalimin e impianteve të gazit, ndryshimin e numrit të vendeve të uljes dhe procedura të tjera.


Në kuadër të përmirësimit të komunikimit me qytetarët është zgjeruar edhe asistenti virtual, i implementuar në gusht 2026. Ai mundëson kërkimin e informacionit jo vetëm përmes terminologjisë teknike, por edhe me gjuhën e përditshme dhe zhargonin.


Që prej implementimit, shërbimi ka regjistruar rreth 60 mijë vizitorë. Nga kjo javë, asistenti ofron edhe komunikimin zanor, duke iu përgjigjur me zë pyetjeve të qytetarëve.


Një tjetër lehtësi lidhet me njoftimin e qytetarëve për kohën kur duhet të paraqiten për të marrë shërbimin. Personat që aplikojnë për leje drejtimi apo certifikata informohen përmes kanaleve dixhitale për momentin kur duhet të paraqiten për të tërhequr dokumentacionin.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat