Secondary Adv

INSTAT: Ekonomia u rrit me 2.98 per qind ne tremujorin e trete te 2015

Ekonomia shqiptare regjistroi një rritje prej afro 3% në tremujorin e tretë 2015, shifër që përfaqëson një përmirësim nga mesatarja prej rreth 2.7% e dy tremujorëve të parë.


Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, rritja vjetore prej 2.98% e tremujorit të tretë u mbështet edhe njëherë te ndërtimi, që dha afro gjysmën e kontributit në rritjen e regjistruar.Ndërtimi u rrit me 16.54%, por vlerësohet se kthimi i rolit të ndërtimit në një kolonë të rritjes ekonomike i detyrohet kryesisht veprave inxhinierike dhe jo më ndërtimeve rezidenciale. Përveç investimeve publike, vlerësohet se rritja e ndërtimit ka ardhur kryesisht si rezultat i punës në disa vepra madhore, si gazjsjellësi TAP apo hidrocentralet në kaskadën e Devollit.


Përtej ndërtimit, ekonomia shqiptare nuk ka dhënë sinjale të mëdha të rimëkëmbjes. Pjesa tjetër e rritjes ka ardhur kryesisht nga shërbimet profesionale, administrative dhe publike, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë. Në një pjesë të madhe dhe që i takon sektorit publik, këto shërbime klasifikohen jashtë shërbimeve të tregut, ndaj nuk tregojnë kontribut të sipërmarrjen private në rritje.


Edhe pjesa tjetër e shërbimeve shfaqën një rritje modeste. Dega me peshën kryesore, ajo e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve u rrit me 1.52% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe dha një kontribut modest me 0.25 pikë përqindje në rritjen ekonomike. Ndërsa sektorët prodhues, shfaqën një ecuri edhe më të dobët.


Dega e Industrisë dhe energjisë u rrit me 1.08% kundrejt një viti më parë, ndërsa prodhimi në sektorin bujqësor pësoi rënie me 1.4%. Megjithëse rritja në vlera mesatare duket në nivele të kënaqshme për situatën, ajo nuk reflekton plotësisht shëndetin e sektorit privat të ekonomisë.Një sinjal pozitiv për tremujorin e tretë erdhi nga konsumi, që u rikthye në rritje me 1.9%, pasi kishte pësuar rënie në dy tremujorët e parë të vitit 2015. Megjithatë, edhe në tremujorin e tretë kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike ishin investimet. Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 12.58% me bazë vjetore.


Bazuar në të dhënat e deritanishme, rritja mesatare e tre tremujorëve të parë të vitit 2015, është pak më shumë se 2.8%. Kjo shifër është më e ulët se parashikimet fillestare për një rritje ekonomike vjetore prej 3%, por pak më e lartë se projeksionet e rishikuara së fundmi. Javën e kaluar Banka Botërore parashikonte një rritje të ekonomisë shqiptare me 2.7% për vitin 2015. 


Më të lexuarat