Secondary Adv

Qeveria tkurr shpenzimet, ulet kredia e biznesit per investime

Rritja ekonomike për tremujorin e tretë të 2015-s rezultoi 2,98 për qind, kurse për 9 muajt e parë të vitit shënoi rënie duke arritur në 2,7 për qind.

 

Banka e Shqipërisë, në raportin e tremujorit të fundit të politikës monetare për 2015-n, vlerëson se normat më të larta të rritjes nuk kanë arritur të thithin ende kapacitetet e pashfrytëzuara në ekonomi dhe aktiviteti ekonomik mbetet poshtë nivelit potencial. Sipas Bankës të Shqipërisë, edhe për vitin 2016 rritja ekonomike parashikohet të jetë nën potencial.


Burimi kryesor i rritjes nga ana e prodhimit është sektori i shërbimeve dhe ai i ndërtimit. Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i investimeve dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve me jashtë. Konsumi i administratës publike ka vijuar i dobët, duke dhënë kontribut negativ me tkurrje të shpenzimeve buxhetore. Por edhe të ardhurat e mbledhura nga qeveria janë rritur ngadalë. Stimuli fiskal ka rezultuar negativ në vitin 2015.


Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat kanë shënuar një rritje pozitive gjatë vitit, duke u vlerë- suar në 26.2% të PBB-së, ndërsa shpenzimet janë zvogëluar në 29.8% të prodhimit të brendshëm bruto. Shpenzimet buxhetore kanë arritur në 430.6 miliardë lekë në vitin 2015, duke u tkurrur me 1.9% krahasuar me një vit më parë. Shpenzimet për shërbimin e borxhit janë tkurrur, bashkë me zërin “shpenzime të tjera”.


Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e kredisë është shfaqur e plogësht edhe në tremujorin e fundit. Te biznesi, dominues mbetet kredia për kapital qarkullues dhe jo për investime. Ndër faktorët më të spikatur në muajt tetor-nëntor vijojnë të mbeten kërkesa e dobët për financim dhe kushtet e kreditimit, të cilat raportohen të shtrënguara për bizneset e mëdha. Nga ana tjetër, politika monetare lehtësuese është reflektuar në ulje të normave të interesit dhe rritjen e kredisë në lekë.


Edhe marrja eurobondit në tregjet e jashtme ka sjellë reduktim të marrjes së borxhit nga qeveria në bankat e nivelit të dytë, duke rritur nevojën për likuiditet. Banka vlerëson që këta faktorë do të jenë të pranishëm edhe për 2016-n. Eksportet kanë shënuar rënie në naftë dhe në metale. Inflacioni vazhdon të qëndrojë nën objektivin e Bankës të Shqipërisë dhe parashikohet në nivelin 2 për qind për 2016-n.


Më të lexuarat