Secondary Adv

Terminali i transportit publik, Bashkia e Tiranes hap tenderin per dhenien me koncesion

Terminali i transportit publik në kryeqytet do jepet me procedurën e partneritetit publik-privat. Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për realizimin e projektit, punimeve dhe ofrimin e shërbimeve, që mbyllen në 7 Nëntor 2016.


Bashkia e Tiranës fton operatorët ekonomikë për të marrë pjesë në procedurat konkurruese përzgjedhëse për Partneritetin Publik, duke iu referuar ligjit të koncesionit shqiptar.Fituesi i tenderit ka si detyrim hartimin e detajuar të projektit dhe zbatimin e ndërtimit të një terminali të ri të Transportit Publik të qytetit të Tiranës, mirëmbajtjen e tij të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, si dhe menaxhimin e mëvonshëm të procedurës për tenderim.


Kohëzgjatja e koncesionit është në bazë të periudhës së ofruar nga ofertuesi fitues, midis 15 dhe 35 vjet. Terminali do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 85 mijë metra katror në zonën e Kamzës, konkretisht përgjatë korridorit kryesor udhëheqës në veri-perëndim, nga qyteti në drejtim të Durrësit e kontraktuar mbi një bazë afatgjatë.


Në shkëmbim, koncesionari do të mbledhë të gjitha tarifat e vendqëndirimit të autobusëve, të ardhurat e shitjes me pakicë ose me qira dhe tarifat e parkimit, në mënyrë që të amortizojë kostot fillestare kapitale,shpenzimet operative dhe të mbulojë shërbimin e borxhit.Terminali do të ketë qasje në unazë, parkim për autobusë, taksi, stacione për pasagjerët, garazh për autobusët, pikë karburanti, hapësira publike, etj. BERZH shpreh gatishmërinë për financimin e fituesit të mundshëm të kontratës në fjalë, pas plotësimit të të gjitha kërkesave ligjore të shprehura nga Autoriteti kontraktues. Tenderi duhet të shoqërohet me një sigurim të ofertës prej 300.000 euro.


Më të lexuarat