Secondary Adv

Ahmetaj ne biznes riciklimi: Rritet punesimi dhe eksportet

Për ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, ligji për importin e mbetjeve për riciklim ka ndryshime thelbësore nga ligji i vitit 2013. Gjatë një inspektimi në një fabrikë që punon me material riciklues, Ahmetaj është njohur me vështirësitë që ky biznes ka pasur për shkak të mungesës së lëndës së parë.


“Ligji që ne kaluam para disa ditësh ka ndryshime thelbësore nga ajo që ne frenuam në 2013. Pra, jo depozitim, jo djegie, por lëndë e parë dhe import i kufizuar për ata që prodhojnë, i lidhur me kapacitetet prodhuese. Kemi lidhur importin me nevojat tuaja. Pra, jo çdokush mund të importojë.Konsiderohet lëndë e parë për procesin e riciklimit. Do të importojnë vetëm ata që kanë instalacione apo fabrika si kjo të përputhura me kuotat në bazë të kartës teknologjike, pra në bazë të kapacitetit. Në qoftë se të duhen vetëm 30 tonë, ti nuk mund të importosh dot më shumë se 30 tonë”, u shpreh Ahmetaj.


Fabrika e riciklimit që përdor material plastik të cilën e vizitoi ministri Ahmetaj, aktualisht punon vetëm dy ditë në javë për shkak të mungesës së lëndës së parë, ndërsa është një investim prej 4 milionë eurosh me teknologji gjermane të vitit 2009, e cila punon nën kapacitet. Drejtuesit e saj i thanë Ministrit të Financave se aktualisht punojnë vetëm 25% të 8- orëshit, në ditë.


Sipas tyre, e gjithë sasia e produktit që del nga kjo fabrikë eksportohet në Greqi, Bullgari, Itali, Kinë, Austri apo Turqi. Është një fabrikë që 100% të produktit e eksporton. Me ligjin e ri, drejtuesit e saj thonë se do të trefishohet numri i punonjësve, por edhe do të rriten eksportet, pasi një pjesë të kërkesës dhe të kontratave kjo fabrikë nuk e realizon dot për shkak të mungesës së lëndës së parë.


“Ky produkt futet në industrinë e paketimit të frutave dhe e shumta shkon në industrinë e tekstileve prodhojnë fibër për mbushjen e lodrave për fëmijë,” thotë drejtuesi i fabrikës. Ai vuri theksin edhe në faktin se ky cikël prodhimi nuk krijon mbetje:

“Nuk mbetet asgjë. E gjitha largohet për eksport. Edhe gjatë procesit të punës kjo është diçka që nuk ka mbetje.” Ministri Ahmetaj lajmëroi edhe një vendim qeverie që po përgatitet, i cili i shërben transparencës në dobi të informimit të publikut: “Ne e kemi kufizuar edhe hyrjen e mbetjeve në 3 pikat doganore, ku realisht shumë shpejt do të kalojmë dhe në një vendim qeverie në përputhje me ligjin ku grupe ambientalistësh, apo njësi ambientalistësh, siç ndodh në të gjithë botën mund të vijnë të certifikojnë importin vetë”.


Kryeministri Rama, duke mbështetur këtë sqarim publik të ministrit të Financave në një fabrikë ricikluese, shkruan në “Facebook” se ajo që ka bërë qeveria është se nuk ka lejuar falimentimin e këtij biznesi. “A duhej lënë të shkonte drejt falimentimit kjo fabrikë e certifikuar nga BE-ja?!
A duhej detyruar akoma kjo sipërmarrje shqiptare të punonte vetëm dy ditë në javë për shkak të mungesës së lëndës bazë?! Pra, edhe një herë: E vetmja gjë që kemi bërë, kemi lejuar vetëm fabrikat vendëse të blejnë jashtë mbetje letre, plastike, alumini apo druri, për të kompensuar mungesën e tyre!”, shkruan Rama në një postim në “Facebook”.

 

Për Kryeministrin, pas miratimit të këtij ligji do të vijojë puna për seleksionimin e mbetjeve të vendit. “Puna jonë është të ecim paralelisht: Nga njëra anë të mos hedhim plehrat kuturu e të kemi sistem ndarjeje të mbetjeve në burim (kazanë), si edhe të ngremë sistemet vendore të grumbullimit e shitjes së këtyre lloj mbetjeve me vlerë dhe nga ana tjetër të fuqizojmë industrinë tonë të riciklimit, jo ta falimentojmë atë!”, shkruan Rama.


Më të lexuarat