Secondary Adv

BSH: Pjesa me e madhe e investimeve te huaja perqendrohen te projektet energjitike

Afro 60% e investimeve të huaja në tremujorin e dytë të vitit u përqendruan në projektet madhore në energjetikë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e investimeve të huaja në këtë tremujor ishte e lidhur në masën dërrmuese me këto projekte.


Të dhënat e tremujorit të dytë treguan se investimet e huaja direkte prekën vlerën e 261 milionë eurove, në rritje me 37% krahasuar me tremujorin e parë të vitit apo me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Por, të dhënat e detajuara dëshmojnë se rritja e investimeve ka ardhur e gjitha nga pak projekte madhore të sektorit të energjisë. Ajo që bie në sy është rënia drastike në dy vitet e fundit e investimeve në industrinë nxjerrëse, sektori që kishte udhëhequr rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit.


Të dhënat e sakta nuk publikohen nga Banka e Shqipërisë për arsye të konfidencialitetit, sepse, mesa duket, kanë ardhur të gjitha nga një ndërmarrje e vetme. Megjithatë, duke llogaritur diferencën mes totalit dhe shumës së sektorëve të tjerë, mund të vlerësohet se investimet në industrinë nxjerrëse kanë qenë pak më shumë se 30 milionë euro.


Kjo është vlera më e ulët që nga viti 2014 e në vazhdim. Kompania më e madhe e këtij sektori, Bankers Petroleum, ka ulur ndjeshëm investimet, për shkak të rënies së çmimit të naftës në bursa.Këtë vit, rënia e investimeve mund të jetë ndikuar edhe nga fakti që Bankers ka qenë në proces të shitjes së aksioneve te një kompani kineze, shitje që u finalizua në fund të shtatorit.


Duke qenë drejt largimit, kanadezët nuk kanë qenë shumë të interesuar për të investuar më tej në kompani. Sektori i fundit që ka pasur një peshë domethënëse në ecurinë e invesitmeve të huaja ka qenë ai financiar. Investimet e huaja në këtë sektor për tremujorin e dytë ishin 25 milionë euro dhe që lidhen kryesisht me injektim kapitali shtesë në bankat tregtare të vendit prej grupeve të huaja zotëruese.


Më të lexuarat