Secondary Adv

Rregullorja e re, ja kur demshperblehen pasagjeret nga operatoret turistike

Qeveria miratoi rregulloren e re për funksionimin e operatorëve turistikë, ku kriter kryesor për licencim do të jetë detyrimi për të kompensuar pasagjerët në rast se kompania falimenton.


Në rregulloren e hartuar nga Ministria e Ekonomisë, tashmë do të jetë detyrim lidhja e kontratës mes operatorëve turistikë dhe pasagjerëve, ose siç do të njihet ndryshe kontrata e paketës së udhëtimit.Nëpërmjet kësaj kontrate operatori turistik është i detyruar të garantojë pasagjerët se në rast falimentimi, do t’i rimbursojë plotësisht ata për vlerën e paketës turistike që kanë paguar.


Rregullorja e re përcakton se në rast se operatori turistik falimenton gjatë zbatimit të kontratës me pasagjerët, përveç detyrimit për rimbursimin e vlerës të paguar, duhet ta kthejë pasagjerin në destinacionin e nisjes.“Çdo paketë udhëtimi e përgatitur nga operatori turistik që shitet te klienti, shoqërohet me kontratën e lidhur mes klientit dhe operatorit turistik. Operatori turistik detyrohet të garantojë klientin se në rast falimentimi pas lidhjes të kontratës, do të rimbursohet plotësisht për vlerën e paguar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.


Ndër të tjera, rregullorja parashikon edhe standarde të reja për funksionimin e veprimtarisë së operatorëve turistikë. Tashmë do të jetë e detyrueshme që këto agjenci të kenë të punësuar një drejtues teknik dhe një përfaqësues ligjor, të cilët do të jenë përgjegjës për zbatimin e kritereve dhe standardeve të rregullores së re.


Përveç kësaj, operatori turistik është i detyruar që gjatë zbatimit të një pakete udhëtimi dhe ekskursioni për më shumë se 10 persona, duhet të ketë të paktën një shoqërues udhëtimi dhe një udhërrëfyes të certifikuar.Detyrim në veprimtarinë e operatorëve turistikë do të jenë edhe zbatimi i kritereve për ambientet e punës. Një operator turistik nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e tij në një ambient me sipërfaqe më të vogël se 16 metra katrorë. Kriteret e reja do të zbatohen edhe nga agjencitë e udhëtimit, të cilat do të kenë detyrim kontratën me pasagjerët.


Më të lexuarat