Secondary Adv

Kodi shqiptar i Punes ka gjoben minimale me te larte ne rajon

Kodi shqiptar i Punës ka gjobën minimale për shkelje të ndryshme më të lartën në rajon, sipas një analize që ka bërë Këshilli i Investimeve në lidhje me hendekun e burimeve njerëzore në sektorin e BPO-ve (sektori i shërbimeve të nënkontraktura).


Sipas analizës, gjoba minimale në Shqipëri shkon 440,000 lekë, ndërsa Serbia e ka 400 euro, Rumania 67 euro, Mali i Zi 30 euro dhe Kosova 100 euro.
Inspektorët e punës kanë diskrecion të gjerë për vendosjen e gjobave. Pothuajse të gjitha vendet parashikojnë gjoba në një diapazon të gjerë për shkelje të legjislacionit të punës, por Shqipëria ka një nivel minimal të gjobës më të lartë. Por, nga ana tjetër, vendi ynë nuk ka sanksionet më të ashpra dhe as diapazonin më të gjerë midis minimumit dhe maksimumit të gjobave.

Analiza e Këshillit të Investimeve tregon se parashikimi i gjobave fikse për shkeljet e legjislacionit të punës nuk ndihmon në diferencimin e shkeljeve, dëmit dhe pasojave, teksa legjislacionet në vende të ndryshme kombinojnë masat administrative me sanksionet penale.Gjatë 2016-s, Instituti i Shëndetit Publik ka vendosur 117 gjoba, vlera e të cilave varion nga 22,000 lekë në 880,000 lekë. Gjoba maksimale 5,500,000 lekë është vendosur vetëm një herë në 2014.


Luan Leka nga kompania EHW, gjatë takimit me Këshillin e Investimeve, tha se gjoba minimale në Kodin e Punës në Shqipëri nuk përfaqëson asnjë fleksibilitet, duke evidentuar se vendet e tjera të rajonit aplikojnë vlera shumë më të ulëta. Gjoba të tilla janë joreale, pasi e rrisin korrupsionin e administratës tatimore.
Gjatë takimit, bizneset e BPO-ve kanë kërkuar nga qeveria që të mbulojë koston e trajnimit të stafeve për të paktën 5 javë. Përveç kësaj, për shkak të specifikave të sektorit kompanitë kanë shqetësim Kodin e Punës, për sa u përket orareve. Ata kërkojnë rishikim të Kodit të Punës në kontratat e kompanive me mbi 2,000 të punësuar.Gjithashtu, për shkak të numrit të madh të të punësuarve, bizneset e BPO kërkuar lehtësime në Kodin e Punës në lidhje me verifikimin e origjinalitetit të dokumenteve të identifikimit dhe atyre shëndetësore.


Më të lexuarat