Keto kabina plazhi jane ndertuar nga mbetjet plastike te oqeaneve
Firma arkitektonike “Spark” do të përdorë mbeturinat plastike, që hidhen në oqeane për të ndërtuar disa struktura të pazakonta arkitektonike përgjatë bregdetit të “East Coast Park” në Singapor.
Qëllimi i saj është të ofrojë hapësira për strehimin e vizitorëve të parkut dhe për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me efektet e lëndëve plastike në oqean, të cilat sipas disa studimeve çdo vit vrasin më shumë se një milion zogj deti dhe 100,000 gjitarë të detit.
Një përqindje të madhe të mbeturinave e përbën polietileni me densitet të lartë (HDPE), një lloj plastike, e cila nuk dekompozohet dhe përdoret për prodhimin e sendeve si: shishet plastike apo enët e kosit. “Spark” propozon mbledhjen e këtij materiali, klasifikimin e tij në ngjyra, pastaj prerjen e tij në copa. Më pas ato do të nxehen në një temperturë të caktuar duke krijuar një lloj të ri pllakash, të cilat do të përdoren për veshjen e jashtme të një ndërtese. Kasollet do të jenë të pajisura me qeliza fotovoltaike për të prodhuar energjinë e nevojshme për ndriçim si dhe një litar çeliku, me antë të së cilit mysafirët mund të hyjnë brenda strukturave. Edhe pse projekti është zhvilluar për në Singapor, kompania është në bisedime për ndërtimin e tyre në Australi.