Njihuni me robotin qe e nderton nje shtepi per vetem 2 dite
Një kompani australiane ka krijuar një robot, i cili mund të vendosë në vendin e duhur deri në 1000 tulla në orë. I quajtur Hadrian X, ai mund të punojë 24 orë pa pushim dhe të përfundojë ndërtimin e një shtëpie brenda dy ditëve.
I gjithë procesi është i automatizuar. Tullat janë të vendosura në një rrip transportieri, i cili lëviz përgjatë një krahu të gjatë robotik. CEO i kompanisë, Mike Pivac tha: “Ky robot mund të revolucionarizojë mënyrën se si ne ndërtojmë. Duke përdorur një ngjitës ndërtimi në vend të llaçit tradicional, Hadrian X do të maksimizojë shpejtësinë e ndërtimit, forcën dhe efikasitetin termik të strukturës përfundimtare.”
Hadrian X mund të mbajë tulla të madhësive të ndryshme, si edhe mund të presë apo të thyejë çdo tullë në mënyrë që ato të përputhen. Për të krijuar formën apo strukturën e nevojshme të shtëpisë është përdoruar sistemi kompjuterik 3D (CAD) dhe më pas roboti llogarit se ku duhet të vendoset çdo tull.
Ai mund edhe të lërë hapësira për instalime elektrike dhe hidraulike, si dhe të skanojë apo të presë tullat në qoftë se ato duhet të riformohen. Për këtë projekt ka 10 vite që po punohet dhe deri më tani janë shpenzuar 7 milion dollarë.
(CAD është përdorimi i sistemeve kompjuterike për të ndihmuar në krijimin, modifikimin, analizimin dhe optimizimin e një dizajni)