Keto turbina te reja te eres pergjysmojne koston e prodhimit te energjise
“FloDesign Wind Turbine” ka krijuar një turbinë të re ere, e cila do të përgjysmojë koston e gjenerimit të energjisë elektrike.
Dizajni i ‘Wind Jet’ rrit në mënyrë dramatike shfrytëzimin e energjisë nga era duke reduktuar ndjeshëm koston. “FloDesign Wind Turbine” është një firmë me bazë në Wilbraham, SHBA , e cila përdor teknologjinë e motorëve të avionëve për të zhvilluar një turbinë ere, e cila i tejkalon turbinat tradicionale të erës.
Sipas të dhënave turbinat tradicionale me erë mund të shfrytëzojnë vetëm 59.3 për qind të energjisë së erës në nivelin më të mirë të saj. ‘Wind Jet’ e hartuar nga ‘FloDesign’ përdor tehe të mbuluar me një mekanizëm për të drejtuar ajrin nëpër tehet e turbinës.
Rritja e qarkullimit të ajrit përmes teheve rrit shpejtësinë e turbinave dhe si rezultat edhe prodhimin e energjisë. Prodhimi i energjisë nga ‘Wind Jet’përputhet me atë të një turbine tradicionale me tehe dy herë më të mëdha. Paul Sclavounos nga departamenti i inxhinierisë mekanike në MIT beson se dizajni i ‘Wind Jet’ mund edhe të trefishojë prodhimin e energjisë së një turbine me erë.