Agjensia gjermane e hapesires teston robotet e saj per misione ne Hene dhe Mars
Agjensia gjermane e hapësirës po teston në vullkanin më aktiv të Evropës, Etna robotët e saj për misione në Hënë dhe Mars.
Sipërfaqja e shkretë e vullkanit dhe klima e thatë dhe me erë do të thotë se ai është vend i përsosur për përgatitjen e robotëve. Testet po zhvillohen nga Qendra Hapësinore Gjermane, agjencia e cila drejton programin hapësinor të Gjermanisë.
Programi ka përzgjedhur ekspertë nga Gjermania, Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Italia për të hulumtuar ROBEX (Eksplorimi robotik i mjediseve ekstreme). Qëllimi është përmirësimi i pajisjeve robotike që do të përdoren përfundimisht në hapësirë. “Kjo synon të simulojë një mision hipotetik uljeje në Hënë dhe Mars. Ata përdorin shumë robotë që janë atje për të transportuar dhe instaluar instrumente të ndryshme”, tha Dr Boris Behncke, një vullkanolog nga Instituti Kombëtar i Vulkanologjisë në Catania, pranë malit Etna.
Shkencëtarët gjithashtu shpresojnë të përdorin robotët për të eksploruar thellësitë e malit Etna dhe të transmetojnë të dhëna teknike të dobishme për lëvizjet sizmike. Teknikat e mësuara mbi Eten-ën do të vendoseshin pastaj në misionet hënore ose në eksplorimin e Marsit.
Faza fillestare e testimit robotik pothuajse ka përfunduar në zonën e Piano del Lago të vullkanit, një shtrirje e shkretë e terrenit e goditur nga erërat e forta. Qendra Hapësinore Gjermane mund të përdorë një ditë robotët duke punuar me Agjencinë Hapësinore Evropiane, e cila planifikon të vendosë një fshat në Hënë deri në vitin 2030.