Kampusi me i madh i biznesit ne bote hapet ne Paris
Një stacion mallrash i 1920-ës në Paris është transformuar në kampusin më të madh të biznesit në botë, i quajtur Station F.
Ish-depoja hekurudhore, e njohur më parë si La Halle Freyssinet do të strehojë më shumë se 1.000 biznese të rinj në një hapësirë prej 34.000 m². Stacioni F është projektuar nga arkitektët francezë Ëilmotte dhe Associates, me përkrahjen e sipërmarrësit dhe investitorit Xavier Niel.
Roxanne Varza, drejtoreshë e Stacionit F, tha: “Qëllimi ynë me Station F nuk është vetëm krijimi i kampusit më të madh të biznesit në botë, por edhe krijimi i një hapësire që mbledh një ekosistem të tërë sipërmarrës nën një çati. Ai është një projekt ndërkombëtar me të vërtetë ambicioz që e vë Francën dhe Evropën në krye të hartës ndërkombëtare të bizneseve të reja.”
“Ne kemi lloje të ndryshme të dhomave të takimit dhe hapësira për evente formale dhe informale, duke përfshirë një "Dhomë të Kreativitetit" që është projektuar për maksimizimin e krijimtarisë. Çdo gjë që ne bëmë madje edhe nga perspektiva e dizajnit është provuar, testuar dhe vërtetuar nga biznesi. Ne me të vërtetë donim të siguroheshim që krijuam diçka që i përshtatet nevojave të tyre,”shtoi ajo.
Jean-Michel Wilmotte, arkitekti që qëndron pas dizajnit, ka ruajtur shumë prej elementeve origjinalë të depos, duke përfshirë strukturën e betonit të armuar dhe kontejnerët e vjetër të transportit, të cilët janë kthyer në dhoma takimi.
Me 3.000 vende pune Station F do të ketë mbi 20 programe të biznesit ndërkombëtar dhe do të mirëpresë qiramarrës nga e gjithë bota.
Station F do të lançojë gjithashtu një qendër bashkëjetese për sipërmarrësit, 10 minuta larg në Ivry-sur-Seine në 2018. Tre kulla do të kenë 100 apartamente për 600 sipërmarrës me norma të përballueshme dhe fleksibël. Në Stacionin F janë investuar rreth 250 milionë euro.